LAJME / E Premte 11 Shtator 2026, 13:01

Detaje të reja tronditëse nga vdekja e Giorgos Mazonakis, arrestohen dy mjekë: Çfarë zbuloi policia?

Hetimet për vdekjen e papritur të këngëtarit të njohur grek Giorgos Mazonakis kanë marrë një tjetër drejtim. Dy mjekët e lidhur me qendrën private në Athinë, ku artisti pësoi arrest kardiak, janë arrestuar, ndërsa autoritetet po hetojnë rrethanat që i paraprinë vdekjes së tij.

Mazonakis, 54 vjeç, kishte shkuar në ambientin mjekësor në Kolonaki për një seancë të planifikuar plazmafereze. Pas përkeqësimit të gjendjes së tij u njoftua urgjenca dhe këngëtari u transportua në spitalin “Elpis”, ku përpjekjet për ta rikthyer në jetë nuk patën rezultat.

Pas kontrolleve në qendrën mjekësore, ndaj dy mjekëve është ngritur dosje për veprën penale që lidhet me ekspozimin ndaj rrezikut me pasojë vdekjen.

Një prej pikave kryesore të hetimit është nëse plazmafereza kishte nisur përpara se Mazonakis të pësonte arrestin kardiak. Sipas raportimeve, mjekja kishte deklaruar se procedura nuk kishte filluar ende. Por personeli i urgjencës ka dëshmuar se pajisja ishte në funksion kur mbërriti në ambient. Nga kontrolli teknik rezultoi gjithashtu se gjatë përdorimit të fundit pajisja kishte qëndruar e ndezur për rreth 45 minuta.

Hetuesit po shqyrtojnë edhe mospërputhje në oraret e deklaruara. Mjekja raportohet se ka thënë se këngëtari mbërriti rreth orës 16:30, ndërkohë që telefonata drejt shërbimit të urgjencës ishte bërë në orën 16:21. Nga hetimet e deritanishme dyshohet se Mazonakis kishte qëndruar në ambient për të paktën tre orë.

Pikëpyetje janë ngritur edhe për kushtet në të cilat ofrohej procedura. Ministri grek i Shëndetësisë, Adonis Georgiadis, deklaroi se ambienti ishte i regjistruar si praktikë e mjekësisë interne dhe jo si klinikë, ndërsa gjatë kontrollit u gjetën dy pajisje për plazmaferezë. Presidenti i Shoqatës Mjekësore të Athinës ka deklaruar se institucioni nuk kishte të regjistruar praninë e këtyre pajisjeve, ndërsa avokati i mjekëve pretendon të kundërtën dhe thotë se ato ishin deklaruar rregullisht.

Tashmë një rol vendimtar pritet të ketë ekspertiza mjekoligjore. Autopsia ishte parashikuar për të premten, pasi u shty me kërkesë të familjes në mënyrë që në procedurë të merrte pjesë edhe një ekspert i zgjedhur prej saj. Hetuesit kërkojnë të përcaktojnë shkakun e saktë të vdekjes dhe nëse ekziston ndonjë lidhje mes saj dhe procedurës mjekësore. Deri në përfundimin e ekspertizave, një lidhje e tillë nuk mund të konsiderohet e provuar.

Mazonakis ishte një prej emrave më të njohur të muzikës laïko, me një karrierë mbi tri dekada dhe popullaritet të madh edhe jashtë Greqisë, përfshirë vendet e Ballkanit.