LAJME / E Premte 11 Shtator 2026, 13:01

Përmbyset autobusi turistik me 48 persona në bord, raportohen vikt*ma dhe të pl*gosur

Një autobus turistik me 48 persona në bord është përfshirë në një aksident të rëndë në lindje të Zvicrës.

Autobusi, i cili udhëtonte nga Holanda drejt Austrisë, u përmbys në rajonin e Engadinës së Poshtme, ndërsa nga ngjarja raportohen viktima dhe të plagosur.

Aksidenti ndodhi në segmentin rrugor mes zonave Susch dhe Zernez, në kantonin Graubünden.

Sipas policisë lokale, në autobus ndodheshin 48 persona, ndërsa numri i saktë i viktimave dhe të plagosurve ende nuk është bërë i ditur.

Autoritetet nuk kanë dhënë ende informacion të plotë mbi shkaqet e aksidentit apo rrethanat që çuan në përmbysjen e autobusit.

Sipas mediave zvicerane, autobusi i përkiste kompanisë turistike holandeze Oad, e cila organizon udhëtime në vende të ndryshme të Europës.

Grupi ishte nisur më 7 shtator nga Holanda dhe kishte Austrinë si destinacion, ndërsa qëndrimi në kantonin Graubünden ishte planifikuar si pjesë e një ekskursioni ditor.

Pamjet e publikuara nga media zvicerane Blick tregojnë autobusin me targa holandeze të përmbysur në një livadh pranë rrugës.

Në vendngjarje janë angazhuar pesë helikopterë, zjarrfikës dhe ekipe të shumta të emergjencës për të nxjerrë dhe transportuar personat e përfshirë në aksident.

Zona është izoluar për të lehtësuar operacionin e shpëtimit dhe hetimet e autoriteteve.

Hetimet vijojnë për të përcaktuar shkaqet e aksidentit dhe bilancin e plotë të viktimave dhe të plagosurve