
Të radhës “Skift” dhe “Travel Daily News” për turizmin
“Plazhet e Shqipërisë ‘të pushtuara’ nga turistët e uritur italianë”. Me këtë titull hapet e përditshmja amerikane “Skift” në artikullin e dedikuar për turizmin në Shqipëri.
Më tej në brendësi të artikullit thuhet se një kamarier në një restorant në qytetin turistik bregdetar të Sarandës u kërkoi falje klientëve të sapoardhur pasi zgjedhjet në menu ishin të kufizuara, për shkak të turistëve të shumtë italianë që sipas tij kanë ngrënë gjithçka.
E përditshmja amerikane “Skift” që ka në fokus udhëtimet dhe turizmin nënvizon në shkrimin për vendin tonë se “Disa kujtojnë pushtimin e Shqipërisë nga regjimi fashist i Italisë nga Musolini për disa vite gjatë Luftës së Dytë Botërore, por 8 dekada më vonë, italianët përbëjnë një pjesë të madhe të peshës turistike në rritje dhe gjithnjë e më fitimprurëse”.
Në brendësi të shkrimit të amerikanes “Skift”shkruhet se “Italianët mbërrijnë me fluturime ose me traget, nga 80 km larg përtej detit Adriatik. Kjo për arsye se si Italianët dhe evropianët e tjerë janë joshur në Shqipëri nga plazhet e pacenuara me rërë, peisazhet piktoreske dhe çmimet shumë më të lira se në destinacionet e tjera, dhe pushimet e gjata dhe shumë më të pasura se Italia dhe Franca”. E përditshmja “Skift” nuk lë pa përmendur dhjetëra mijëra italianëve që pushuan në Shqipëri në Gusht ishte edhe kryeministrja italiane, Giorgia Meloni.
Nga ana tjetër edhe prestigjiozja “Travel Daily News” nuk lë pa u ndalur tek bumi turistik shqiptar, por duke e parë në një këndvështrim tjetër, tek gjuha shqipe. “Eksplorimi i Shqipërisë: Pesë arsye pse mësimi i gjuhës vendase rrit përvojën tuaj të udhëtimit”, thuhet në titullin kryesor të revistës së udhëtimeve.
Shqipëria është një perlë shpesh e anashkaluar në Evropën Juglindore në Gadishullin Ballkanik, e pasur me histori, bukuri natyrore dhe kulturë të jazhtëzakonshme. Edhe pse gjuha vendase, shqipja, nuk mësohet aq thjesht sa frengjishtja apo spanjishtja, marrja e kohës për të mësuar shqip mund të lartësojë ndjeshëm përvojën tuaj të udhëtimit për disa arsye. Këtu janë pesë të parat shkruan “Travel Daily News”.
”Zhyteni më thellë në kulturë dhe histori, Forconi lidhje autentike me vendin. Zbuloni gurë të çmuar të fshehur. Fitoni pavarësinë dhe besimin dhe mbi të gjitha gjuha vendase ju ofron më tepër siguri dhe komoditet të shtuar.
Si përfundim, ndërkohë që është e mundur të shijoni një udhëtim në Shqipëri vetëm me anglisht, të mësuarit pak shqip mund të pasurojë pa masë përvojën tuaj të udhëtimit. Gëzuar udhëtimin dhe mësimin!”, përfundon artikulli i “Travel Daily News” për Shqipërinë.
