Prokuroria e Gjirokastrës ka dalë me një njoftim zyrtar në lidhje me ngjarjen e rëndë të ndodhur më 20 prill 2025, ku një 15-vjeçar u gjet i vetëvarur pranë banesës së tij në fshatin Valarë.
Në njoftim thuhet se është ngritur një grup hetimor dhe janë kryer të gjitha veprimet e para në vendin e ngjarjes, nën drejtimin e prokurorit të çështjes.
“Janë kryer veprimet e para hetimore, të cilat përfshijnë këqyrjen e vendit të ngjarjes, kryerjen e ekspertimit mjeko-ligjor, sekuestrimin dhe këqyrjen e telefonave dhe pajisjeve kompjuterike, sekuestrimin e materialeve shkollore të fëmijës së mitur, si dhe marrjen e deklarimeve në cilësinë e personave që kanë dijeni për rrethanat e ngjarjes, përfshirë punonjësit përgjegjës për trajtimin e të miturit”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë së Gjirokastrës.
Pavarësisht dyshimeve të para për një akt të lidhur me ngacmim apo bullizëm, prokuroria përjashton këtë pistë, të paktën në këtë fazë të hetimit.
“Nga të gjitha veprimet hetimore të kryera deri në këtë fazë të hetimit, nuk është konstatuar asnjë e dhënë apo indicie që të dëshmojë se veprimi i kryer nga ana e të miturit ka pasur si shkak ngacmime apo sjellje bullizuese nga bashkëmoshatarët e tij”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë së Gjirokastrës
Njoftimi i plotë i Prokurorisë së Gjirokastrës
Në lidhje me ngjarjen e datës 20.04.2025, ku në ambientet e jashtme të banesës së tij në fshatin Valarë, Gjirokastër, është gjetur i vetëvarur dhe pa shenja jete shtetasi i mitur V.P., 15 vjeç, pas njoftimit të bërë nga Komisariati i Policisë Gjirokastër, Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Gjirokastër, në prani të prokurorit të seksionit për të mitur dhe prokurorit të gatshëm, me urdhër të Drejtuesit të Prokurorisë, ka krijuar menjëherë një grup hetimor për trajtimin e çështjes.
Nën drejtimin e Prokurorisë janë kryer veprimet e para hetimore, të cilat përfshijnë këqyrjen e vendit të ngjarjes, kryerjen e ekspertimit mjeko-ligjor, sekuestrimin dhe këqyrjen e telefonave dhe pajisjeve kompjuterike, sekuestrimin e materialeve shkollore të fëmijës së mitur, si dhe marrjen e deklarimeve në cilësinë e personave që kanë dijeni për rrethanat e ngjarjes, përfshirë punonjësit përgjegjës për trajtimin e të miturit.
Nga të gjitha veprimet hetimore të kryera deri në këtë fazë të hetimit, nuk është konstatuar asnjë e dhënë apo indicie që të dëshmojë se veprimi i kryer nga ana e të miturit ka pasur si shkak ngacmime apo sjellje bullizuese nga bashkëmoshatarët e tij.
Prokuroria e Gjirokastrës po vijon me prioritet të veçantë hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes, si dhe të veprimeve të kryera nga autoritetet përgjegjëse lidhur me trajtimin e rastit të të miturit V.P.