LAJME / E Enjte 12 Qershor 2025, 17:05

Verifikim masiv për taksat e papaguara të mjeteve që nga viti 2012, afro 250 mijë pronarë në listën e borxhlinjve

Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimeve të Transportit Rrugor (DPSHTRR), në bashkëpunim me institucionet përkatëse, ka nisur një verifikim në shkallë kombëtare për borxhet e akumuluara nga taksat e mjeteve rrugore. Sipas të dhënave zyrtare, 249,882 mjete rezultojnë me detyrime të papaguara, me një borxh total që arrin në rreth 17 miliardë lekë, ose afro 170 milionë dollarë amerikanë. Këto detyrime datojnë që nga viti 2012 deri në qershor 2025.

Autoritetet sqarojnë se po zbatohet një plan operacional për të reduktuar numrin e debitorëve dhe për të mbledhur detyrimet e prapambetura, në përputhje me ligjin për taksat kombëtare dhe udhëzimet përkatëse të Ministrisë së Financave.

Procesi i njoftimit të debitorëve po bëhet përmes platformës e-Albania, ku secilit pronar i dërgohet një mesazh i personalizuar me shumën që i takon të paguajë, përfshirë taksën bazë, gjobat dhe kamatëvonesat. Pas njoftimit, debitorëve nuk u ofrohen më shërbime të transportit rrugor, siç janë kolaudimi apo ndryshimi i pronësisë së mjetit.

Në fillim të vitit, lista e plotë e mjeteve me detyrime i është dërguar Drejtorive Rajonale të Tatimeve për ndjekjen e borxheve të bizneseve, si dhe Policisë së Shtetit për të ndaluar qarkullimin e mjeteve pa kolaudim. Të dhënat janë shpërndarë edhe bashkive, të cilat përfitojnë 25% të të ardhurave nga këto taksa.

Faljet e taksave në 2017 – mbi 93 mijë pronarë përfituan

Në vitin 2017, në kuadër të ligjit nr. 33/2017 për faljen e detyrimeve tatimore, përfituan pronarët e 93,522 mjeteve rrugore. Sipas ligjit, mjetet që nuk kishin kryer veprime që nga viti 2011 mund të çregjistroheshin pa pasur nevojë të shlyenin borxhet, ndërsa për mjetet që do të mbeteshin në qarkullim, ishte e nevojshme pagesa e taksave nga viti 2011 e në vijim.

Ligji parashikonte gjithashtu që nëse brenda 6 muajve pronari nuk paraqitej për çregjistrim, DPSHTRR do ta kryente atë automatikisht dhe targat do t’i kalonin Policisë për ndalim qarkullimi   do t’iu jemi mirenjohes nese do te na ndihmonit që të mirmbajmë faqen vetëm duke shtypur(mbi foton) që ndodhet më poshtë.Faleminderit për mirkuptimin SHQIPE