LAJME / E Enjte 24 Gusht 2023, 15:03

“Varfërohet” Ahmetaj/ Kuvendi i ndërpret rrogën dhe shpenzimet e telefonit dhe karburantit

Nga data 12 korrik, kur  Parlamenti vendosi ta zhveshë nga imuniteti Arben Ahmetajn, administrata e Kuvendit vendosi t’i ndërpresë edhe pagën.

Bashkë me rrogën bruto prej 310 mijë lekësh, ish-zëvendëskryeministrit iu hoqën të gjitha perfitimet që lidhen me pagesën e telefonit dhe të karburantit.

Edhe pse ligji nuk saktëson si veprohet në rastet kur një deputet është në kërkim ndërkombëtar; administrata e Kuvendit ka vendosur më së shumti mbi baza morale të ndërpresë çdo pagesë për Ahmetajn.

Pavarësisht se ish-zyrtari i lartë i qeverisë “Rama” është në kërkim ndërkombëtar ai vazhdon të jetë deputet i Parlamentit.

Sipas Kushtetutës, Ahmetaj e humbet mandatin nëse mungon për 6 muaj në Kuvend, ose nëse dënohet nga gjykata me vendim të formës së prerë.