
Tre persona kanë humbur jetën dhe të paktën 13 të tjerë janë plagosur në një aksident të rëndë trafiku që ndodhi në një bulevard në lagjen Çelopeçene të Sofjes. Sipas hetimeve paraprake, një automjet që po merrte pjesë në një garë ilegale rrugore me shpejtësi mbi 150 kilometra në orë u përplas me autobusin e linjës urbane 119, duke e përmbysur atë anash.
Prokuroria bullgare njoftoi se dy shoferët e dyshuar për pjesëmarrje në garën ilegale konsiderohen përgjegjësit kryesorë për tragjedinë.
Mes viktimave janë dy pasagjerë të autobusit, të moshave 27 dhe 31 vjeç. Njëri humbi jetën në vendngjarje, ndërsa tjetri ndërroi jetë në spital si pasojë e plagëve të rënda. Më vonë, në spitalin “Shën Ana”, ndërroi jetë edhe një burrë tjetër i cili ishte hospitalizuar pas aksidentit.
Të plagosurit kanë pësuar lëndime të rënda në kokë, fraktura dhe trauma të shumta, ndërsa disa prej tyre ndodhen në gjendje kritike. Në vendngjarje u angazhuan dhjetë ekipe të ndihmës së shpejtë, të cilat transportuan të lënduarit në disa spitale të Sofjes.
Zëvendësprokurori i qytetit të Sofjes, Angel Kanev, deklaroi se provat e deritanishme tregojnë se bëhej fjalë për një garë të improvizuar mes dy automjeteve. Sipas tij, makina që goditi autobusin e përplasi atë anash me shpejtësi jashtëzakonisht të lartë, duke bërë që mjeti i transportit publik të përfundonte i përmbysur në një kanal kullues pranë rrugës.
Hetuesit kanë konstatuar se në vendin e aksidentit pothuajse nuk ka gjurmë frenimi, gjë që tregon se automjeti po lëvizte me shpejtësi ekstreme pak çaste para përplasjes.
Në njërën makinë ndodheshin dy persona, ndërsa në tjetrën tre. Sipas prokurorisë, disa nga pjesëmarrësit nuk posedonin patentë shoferi të vlefshme. Madje, në njërin prej automjeteve kishte shpërthyer debat lidhur me atë se kush po e drejtonte makinën në momentin e aksidentit.
Testet për alkool dhe substanca narkotike rezultuan negative, por autoritetet kanë marrë mostra shtesë për analiza të mëtejshme. Njëra prej makinave, pas përplasjes, vazhdoi lëvizjen e pakontrolluar dhe shkatërroi një stacion autobusi rreth 25 metra larg vendit ku u godit autobusi.
Aksidenti shkaktoi kaos të madh në trafik në pjesën verilindore të Sofjes. Rruga drejt Kaziçenes dhe Çelopeçenes mbeti e bllokuar për disa orë, ndërsa policia, zjarrfikësit dhe ekspertët forenzikë kryenin hetimet dhe pastrimin e zonës.
Kryetari i Bashkisë së Sofjes, Vasil Terziev, shprehu ngushëllime për familjet e viktimave, ndërsa autoritetet bullgare kanë paralajmëruar një hetim të thelluar për të zbardhur rrethanat e kësaj tragjedie, e cila konsiderohet një nga aksidentet më të rënda rrugore në kryeqytetin bullgar në vitet e fundit, do t’iu jemi mirenjohes nese do te na ndihmonit që të mirmbajmë faqen vetëm duke shtypur(mbi foton) që ndodhet më poshtë.Faleminderit për mirkuptimin SHQIPE
