LAJME / E Premte 13 Qershor 2025, 12:12

TRAGJIKE në familjen shqiptare/ Tentoi të shpëtonte të birin nga mbytja, por s’dinte not, humbin jetën nëna dhe djali

Një ngjarje tragjike ka tronditur lagjen Lachine të Montrealit, ku një grua 34-vjeçare dhe djali i saj 3-vjeçar humbën jetën pas mbytjes në një pishinë rezidenciale mbrëmjen e së martës.

Viktimat janë nga Kosova, komuna e Deçanit; Elzina Ramosaj Morina dhe djali i saj i mitur, Elon.

Oficerët e policisë u thirrën në vendngjarje rreth orës 21:35 për dy mbytje të mundshme në një shtëpi në Avenue-n e 20-të pranë Rrugës ProvostMe të mbërritur, ata i gjetën të dy viktimat pa ndjenja. Pavarësisht përpjekjeve nga policia dhe ndihmësit mjekësorë, gruaja dhe fëmija u shpallën të vdekur në vendngjarje.

Sipas provave hetimore të mbledhura në vendngjarje nga Policia e Montrealit (SPVM), duket se nuk ka element kriminal në këtë tragjedi.

“Ky ishte një incident aksidental”, konfirmoi oficerja Caroline Chevrefils, zëdhënëse e SPVM-së.

Zyra e mjekut ligjor është njoftuar për këto vdekje dhe një hetim është duke u zhvilluar nga mjeku ligjor Dr. Edgard Nassif.

“Pas përfundimit të hetimit të tij, mjeku ligjor do të përgatisë një raport që detajon identitetin e të ndjerit, datën dhe vendin e vdekjes, si dhe shkaqet dhe rrethanat e mundshme që lidhen me vdekjen”, tha Jake Lamotta Granato, një zëdhënës i zyrës së mjekut ligjor të Kebekut.

“Nëse konsiderohet e përshtatshme, ai mund të japë edhe rekomandime, të cilat janë masa parandaluese që synojnë mbrojtjen e jetës njerëzore dhe parandalimin e vdekjeve në rrethana të ngjashme”, shtoi ai.

Procesi hetimor i mjekut ligjor është konfidencial deri në publikimin e raportit të tij përfundimtar, i cili është publik.

Sipas burimeve për CTV News, dyshohet se djali ka rënë fillimisht në pishinë, ndërsa nëna është hedhur për ta shpëtuar, por ajo nuk dinte not. Sipas dëshmitarëve, nëna dhe djali i vogël ishin parë së fundmi duke marrë pjesë në një paradë festive.

“Jam i traumatizuar. Është e pabesueshme që ndodhin gjëra të tilla”, tha banori Mike Mymryk.

Carol dhe Derrick Majeur, fqinjë të familjes, u shprehën thellësisht të pikëlluar: “Si do të ndihesha po të ishte një nga nipërit e mi? Do të isha jashtëzakonisht i mërzitur. Mund të imagjinoj si ndihet familja tani”.

Kryetarja e Lachine, Maja Vodanovic, reagoi në rrjete sociale, duke e quajtur ngjarjen “makthin më të keq të mundshëm”. Sipas saj, gjithçka nisi nga një top që ra në pishinë, duke shkaktuar një zinxhir ngjarjesh që përfundoi me mbytjen e fëmijës dhe nënës së tij.

Shoqata Shqiptare Kosova-Montreal ka njoftuar me dhimbje të thellë për vdekjen tragjike të Elzina Morina, 34 vjeç, dhe djalit të saj të vogël, Elon Morina, vetëm 3 vjeç, të cilët humbën jetën në një aksident të rëndë në një pishinë në Montreal.“Kjo humbje ka tronditur thellësisht të gjithë komunitetin tonë. Vdekja e një nëne të re dhe e fëmijës së saj është një plagë e rëndë për familjen, të afërmit dhe të gjithë ata që i kanë njohur”, thuhet në njoftimin e shoqatës do t’iu jemi mirenjohes nese do te na ndihmonit që të mirmbajmë faqen vetëm duke shtypur(mbi foton) që ndodhet më poshtë.Faleminderit për mirkuptimin SHQIPE