Trafiku në rrugët e Tiranës sa vjen e po rëndohet nga dita në ditë, ndërsa gjetja e një parkimi është bërë më e vështirë dhe pa dyshim më e kushtueshme se asnjëherë.
Numri i personave që zotërojnë një makinë në kryeqytet është rritur ndjeshëm.
Sipas të dhënave të Drejtorisë së Përgjithshme të Shërbimit të Transportit Rrugor (DPSHTRR), në fund të vitit 2024, në Tiranë kishte të regjistruar 340 mijë automjete, ose një e treta e mjeteve të regjistruara në vend.
Në raport me popullsinë e bashkisë Tiranë, që sipas censit të ri të INSTAT ishte rreth 750 mijë banorë si prefekturë dhe 600 mijë si Bashki, rezulton se tashmë çdo dy banorë ka një automjet në Tiranë, me rreth 500-550 mjete për 1 mijë banorë.
Kjo shifër është shumë më e lartë se mesatarja e vendit prej rreth 300 automjete për 1 mijë banorë (ndër më të ulëta në Europë pas Turqisë e Maqedonisë së Veriut) dhe në linjë me mesataren e Bashkimit Europian, që sipas Eurostat është 550 automjete për 1 mijë banorë.
Vetëm në vitin 2024, sipas DPSHTRR në Tiranë u regjistruan për herë të parë 41.1 mijë automjete, ose 41% e të gjitha automjeteve të regjistruara në vend (99.4 mijë gjithsej). Krahas mjeteve të regjistruara në Tiranë, në kryeqytet hyjnë dhe makinat e rretheve, duke rënduar trafikun çdo ditë.
Deri në qershor të vitit 2024 në vend ishin të regjistruara 914 mijë mjete, (nga të cilat 738 mijë ishin autovetura). Dy vitet e fundit numri i mjeteve të regjistruara në vend është rritur ndjeshëm për shkak të importeve masive nga Koreja e Jugut, që tregton mjete me çmim ekonomik. Sipas DPSHTRR, në 2024-n u regjistruan për herë të parë 18.8 mijë automjete që kishin origjinën nga Koreja e Jugut, duke kaluar në shtetin më të madh importues, me 19% të totalit./ Marrë me shkurtime nga Monitor