LAJME / E Martë 30 Janar 2024, 19:07

Tërhiqet avokati kryesor i Hashim Thaçit! Shkak, vështirësitë financiare të ish-Presidentit

Ish-Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi nuk do të ketë më avokat Gregory Kehoe dhe studion e tij ligjore në përballjen në Gjykatën Speciale të Hagës. Shkak për këtë duket se janë bërë vështirësitë financiare të ish-komandantit të UÇK-së. Lajmi u konfirmua fillimisht në një deklaratë të Dhomave të Specializuara. 

 “Z.Thaçi nuk ka përmbushur detyrimin ndaj Gregory Kehoe, Joe Reeder, “Associates Greenbuerg Legal” dhe anëtarëve të ekipit mbështetës dhe z.Thaçi i është dhënë një paralajmërim i arsyeshëm se do të kërkonin përfundimin nëse nuk u është përmbushur detyrimi”.

Por familjarë të Thaçit u thanë mediave të Kosovës se avokati Gregory Kehoe ishte njoftuar për mosvijimin e kontratës në vitin 2024 dhe se tashmë mbrojtjen do ta bëjë avokati kroat Luka Misetic. Në bazë të ligjit, të gjithë të akuzuarit nga Gjykata Speciale do të mbështeten financiarisht nga qeveria e Kosovës. Në reagim të ministrisë së drejtësisë së Kosovës thuhet se deri tani ka paguar 3.5 milionë euro për mbrojtjen e Thaçit.    

 “Ministria e Drejtësisë ka marrëveshje me avokatin mbrojtës të Hashim Thaçit, Luka Misetiq, të cilit në përputhje me marrëveshjen, i realizon të gjitha pagesat me kohë. Ndërsa për avokatet tjerë potencialë, qoftë edhe privatë, të cilët angazhohen nga z.Thaçi, Ministria e Drejtësisë nuk ka marrëveshje dhe nuk mban përgjegjësi për realizmin e pagesave”.

Hashim Thaçi po qëndron në burgun e Hagës prej nëntorit të 2020 së bashku me ish-drejtuesit e tjerë të UCK-së, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi të akuzuar për krime lufte dhe krime kunder njerëzimit, akuza që ata i kanë mohuar me forcë.