
Në kuadër të operacionit të koduar “Tempulli” kanë rënë në pranga 26-vjeçari S. L. banues në Pukë dhe 31-vjeçari N. Rr. nga Mirdita, të cilëve pas kontrollit nga policia iu është gjetur sasi droge dhe municioni luftarak.
Sipas asaj që njofton policia bëhet e ditur se janë sekuestruar 68 doza lënde të dyshuar narkotike, kanabis sativa si dhe dhe municion luftarak.
“Si rezultat i veprimeve intensive operacionale të kryera në kuadër të megaoperacionit policor mbarëkombëtar, antidrogë, të koduar “Tempulli”, specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve të Drejtorisë Vendore të Policisë Lezhë, bazuar në informacionet e siguruara nga inteligjenca policore, kanë konstatuar dhe goditur 2 raste të tjera në këtë fushë.
Në qytetin e Lezhës, gjatë kontrollit fizik ndaj shtetasit S. L., 26 vjeç, banues në Pukë, shërbimet e Policisë i kanë gjetur atij, doza të lëndës narkotike cannabis sativa, të gatshme për shitje.
Në Mirditë, gjatë kontrollit fizik ndaj shtetasit N. Rr., 31 vjeç dhe kontrollit në banesën e tij, shërbimet e Policisë kanë gjetur dhjetëra doza të lëndës së dyshuar narkotike cannabis sativa, të gatshme për shitje, si dhe një sasi municioni luftarak”, thuhet në njoftimin e policisë.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Lezhë, për veprime të mëtejshme hetimore./tvklan.al
