LAJME / E Mërkurë 19 Gusht 2026, 17:05

Të armatosur deri në dhëmbë, 28 çunat e Kombinatit kishin lënë ‘takim’ në TikTok për t’u sqaruar(!) Çfarë ndodhi dhe si ndërhyri policia

Gjithçka nisi në TikTok. Djem të mitur, në kufijtë e adoleshencës, të gjithë midis moshës 13 deri 17 vjeç. Kishin nisur ofendimet e para mes tyre dhe, të ndarë në grupe, kishin agravuar me paralajmërime dhe përbetime se do t’i bënin gjëmën njëri-tjetrit.

Noa.al zbardh ngjarjen e rëndë që precipitoi ditën e djeshme dhe ishte në prag tragjedie, nëse një informacion konfidencial që mori policia e Komisariatit nr 6, të mos çonte një mori forcash policore në Kombinat.

“Ata ishin organizuar më së miri në TikTok duke ndarë informacion dhe duke lënë ditë dhe orar takimi, mes një sherri që u kishte nisur për punë gocash dhe dukej se do të precipitonte keq sepse ishin armatosur një pjesë e mirë e tyre me thika, kaçavida e deri dhe maska, por ne arritëm të marrim një informacion konfidencial që na vuri në lëvizje të menjëhershme dhe organizuam punën për parandalimin e ngjarjes”, tha për noa.al një zyrtar i lartë i Policisë së Shtetit që organizoi punën për parandalimin e ngjarjes së rëndë.

Parandalim në momente decizive

Përplasja mes disa grupeve të miturish rrezikonte të përfundonte me pasoja të rënda, por është parandaluar këtë të mërkurë në zonën e Kombinatit, në Tiranë.

Plot 28 djem, të moshave nga 13 deri në 17 vjeç, dyshohet se kishin lënë takim për t’u përballur me njëri-tjetrin.

Ngjarja është regjistruar dje në rrugën “Llambi Bonata”, ku policia ndërhyri pas informacioneve të marra në rrugë operative se disa grupe të rinjsh po përgatiteshin për konflikt.

Më herët ata kishin lajmëruar njëri-tjetrin me disa postime në TikTok duke bërë trimoshat.

Në momentin kur efektivët e Komisariatit Nr. 6 dhe të Forcës së Posaçme “Shqiponja” mbërritën në zonë, lokalizuan të miturit të ndarë në grupe. Gjatë kontrolleve, disa prej tyre u gjetën me armë të ftohta dhe mjete të tjera që mund të përdoreshin në përleshje.

Policia sekuestroi të paktën pesë thika, kaçavida dhe disa maska, ndërsa të gjithë të miturit u shoqëruan në ambientet e Komisariatit Nr. 6, duke shmangur kështu përplasjen mes tyre.

Pas ndërhyrjes, 28 të miturit u shoqëruan në komisariat. Gjatë kontrollit fizik, disa prej tyre iu gjetën thika, kaçavida dhe maska, të cilat u sekuestruan si prova materiale.

Veprimet procedurale u kryen në prani të prindërve dhe psikologëve. Pas konsultimit me prokurorin, nisi procedimi në gjendje të lirë për të 28 të miturit, të moshave 13 deri në 17 vjeç. Ata u rikthyen që të gjithë në shtëpitë e tyre.

Ngjarja e djeshme e paralajmëruar në TikTok u arrit të parandalohek, por ekziston frika se mund të përsëritet.

Sërish në TikTok edhe pas asaj që ndodhi, palët janë konfrontuar sërish dhe kanë bërë paralajmërime për “një tjetër takim”, ndaj policia është duke i mbajtur nën mbikëqyrje edhe pse beson se pas aksionit të saj dhe faktit që janë të gjithë të njohur tashmë në dosjet policore, mund t’i frenojë në veprime të mëtejshme. /noa.al, do t’iu jemi mirenjohes nese do te na ndihmonit që të mirmbajmë faqen vetëm duke shtypur(mbi foton) që ndodhet më poshtë.Faleminderit për mirkuptimin SHQIPE