S’ka më shpresë për Erion Veliajn, Apeli i GJKKO e lë në burg, Tirana dhe 3 bashki të tjera drejt zgjedhjeve të parakohshme, ja çfarë po ndodh brenda PS
Rigels Seliman
Erion Veliaj nuk do ta rifitojë më lirinë, të paktën jo së shpejti. Apeli i Gjykatës së Posaçme (GJKKO) vendosi dje të lërë në fuqi masën e sigurisë “arrest me burg”, duke zhbërë çdo përpjekje të avokatëve të tij për lirimin me garanci pasurore. Veliaj nuk ishte në sallë, por në vend të tij foli heshtja që rëndon mbi Partinë Socialiste. Që nga 10 shkurti, Tirana është pa kryetar. Një boshllëk institucional që po kthehet në krizë politike. Por me kalimin e tre muajve nga mungesa e tij në detyrë, ligji hap rrugën për shkarkimin e tij zyrtar. Këshilli Bashkiak i Tiranës pritet të mblidhet, ku ka zërë se ai mund të mblidhet sot, ose në ditët në vijim për të çuar përpara këtë vendim të rëndë.
Mirëpo ndërsa Veliaj endet në labirintin e drejtësisë, PS duket se po përgatitet për një tjetër goditje: zgjedhjet e parakohshme në 4 bashki. Tirana është e para, ku ministrat Ogerta Manistriliu dhe Blendi Gonxhja janë emra që lakohen për të kandiduar në zgjedhjet e parakohshme lokale, por edhe Tepelena, Berati dhe Mati janë pas saj. Ish-kryebashkiakët Tërmet Peçi, Ervin Demo dhe Agron Malaj tashmë janë deputetë, ca do të thotë se për këto njësi duhet të votohet.
Presidenti i Republikës do të shpallë datën e zgjedhjeve menjëherë pas shkarkimit të Veliajt, dhe sipas Kodit Zgjedhor, ato duhet të mbahen brenda 60 ditëve, ndërkohë që e njëjta gjë pritet të ndodhë edhe me tre bashkitë e tjera, gjithmonë nëse mazhoranca socialiste qeverisëse vë në lëvizje Komisionin Qendror të Zgjedhjeve (KQZ). PPra kjo panoramë tregon se Partia Socialiste do të përballet me një sfidë të shumëfishtë, ku jo vetëm do të synojë ruajë bastionet, por edhe të menaxhojë imazhin e goditur rëndë.
Ndërkohë sa i takon ish-kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, ai nga një fitues serial në zgjedhje, sot është simbol i krizës. Nga posterat me buzëqeshje dhe pemë të mbjella, në qeli me dyer të mbyllura dhe dosje hetimore që rëndojnë çdo ditë. Por nga ana tjetër, burime brenda PS flasin për tension të brendshëm. Disa kërkojnë ndarjen e shpejtë nga figura që po e fundos partinë, të tjerë druajnë se kjo mund të përshpejtojë përçarjen.
Madje ka prej tyre që e lidhin këtë krizë me një fazë të re të Prokurorisë së Posaçme (SPAK), ku goditjet politike nuk do të ndalen më në prag, por do të shkojnë deri në fund. Megjithatë çfarëdo që të ndodhë, një gjë është e qartë: ora politike e Erion Veliajt ka ndaluar. Ndërsa ajo e zgjedhjeve të parakohshme në katër bashki (Tiranë, Mat, Tepelenë dhe Berat) ka nisur të tik-takojë me ritmin e një tronditjeje të thellë. Sidoqoftë referuar kësaj situate, theksojmë se në Partinë Socialiste s’ka më vend për iluzione. Pasi nëse nuk lëviz shpejt, Tirana, simboli i fitores, mund të kthehet në simbolin e humbjes. Dhe ajo humbje, do të tingëllojë shumë më fort sesa fitorja e 2023-it. Sepse një zinxhir i thyer nga Veliaj, po fundos qetësinë e një partie të tërë.
Ndërkaq kujtojmë se ditën e djeshme Apeli i GJKKO ka lënë në fuqi masën e sigurisë arrest me burg për kryebashkiakun e Tiranës, Erion Veliaj. Kryebashkiaku nuk ishte i pranishëm në seancë, por u përfaqësua nga avokati mbrojtës, i cili kërkoi lirinë kundrejt garancisë pasurore, pa përcaktuar një shumë duke ia lënë në vlerësim gjykatës. Por gjyqtari Engert Pëllumbi rrëzoi kërkesën, ndërsa la në fuqi edhe masën e arrestit shtëpiak për biznesmenin Elman Abule, i cili ishte vetë në sallë.
Përmes avokatëve të tij, Veliaj ankimoi vendimmarrjen e 23 prillit, kur gjyqtari Erion Bani vendosi të pranojë informacionin periodik të SPAK, bashkë me vazhdimin e masës së sigurisë ndaj Veliajt. Veliaj ka dërguar rekurs edhe në Gjykatën e Lartë për masën e sigurisë por ende nuk është caktuar data e shqyrtimit dhe trupa gjykuese. Kryebashkiaku është në hetim për korrupsion pasiv dhe pastrim parash, ndërsa ndodhet në arrest me burg që prej 10 shkurtit. Veliaj po hetohet nga SPAK për korrupsion pasiv në 9 episode dhe pastrim parash.
Ai u arrestua me urdhër të Prokurorisë së Posaçme dhe që prej asaj kohe ka kërkuar disa herë lirimin nga paraburgimi, pa sukses. Nga ana tjetër Ajola Xoxa është paraqitur ditën e djeshme në ambientet e Prokurorisë së Posaçme, në vijim të masës detyrim paraqitje. Bashkëshortja e ish-kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, është në hetim nga SPAK për korrupsion pasiv, pastrim të parave e fshehje të pasurisë dhe po hetohet nën masën detyrim paraqitje do t’iu jemi mirenjohes nese do te na ndihmonit që të mirmbajmë faqen vetëm duke shtypur(mbi foton) që ndodhet më poshtë.Faleminderit për mirkuptimin SHQIPE