
Në pyllin e Pishë Poros vijon beteja me flakët për të shtatën ditë rradhazi ku vatrat e zjarrit kanë përfshirë një zonë të konsiderueshme të masivit pyjor. Gazetarja Anila Sefa e cila ndodhet atje tregon situatën nga afër ku tymi dhe flakët kanë pushtuar zonën.
Sipas asaj që tregon gazetarja situata paraqitet e vështirë ku deri më tani përpjekjet për shuarjen e zjarrit kanë qenë nga toka, por duket që nuk kanë dhënë rezultatin e duhur. Ajo shprehet se e sheh të pamundur shuarjen e zjarrit pa ndërhyrje nga ajri. Gjithashtu rrezikohet edhe rrjeti i shpërndarjes së energjisë elektrike ku flakët janë rreth 10 metër larg.
“Rrjeti i shpërndarjes së energjisë elektrike në këtë zonë është i rrezikuar. Me sy të lirë unë e shoh është 10 metër larg. Por ajo që e bën më të favorshme është fakti se bimësia këtu nuk është e lartë sepse këtu është një bimësi nga 1.5-2 metër dhe linjat e tensionit janë të paktën 6 metër nga toka dhe vetëm lartësia nëse do t’i shpëtojë nga zjarri. Nëse vijon me këtë intensitet do jetë fati pasi banorët duket se ja kanë lënë në dorë fatit. Përqëndrimi i zjarrëfikëseve vazhdon të jetë atje ku është më e rrezikuar. Ndërhyrja nga ajri është e vetmja mundësi që mund t’i shpëtojë. Hapja e korridoreve është vonë tashme që flasim, pasi korridoret duhet të ishin hapur dhe kjo të ishte paraprirë vite më parë sepse e kemi një përvojë të tillë ku në 2007 zona e mbrojtur u dogj, në 2013 zona e mbrojtur u dogj tashmë në 2023 situata është e njëjtë. Nuk e dimë se sa do zgjasë sepse nëse flasim për të fikur zjarrin më krahë unë nga terreni e shoh të pamundur.”
Në zonë nuk janë hapur korridore të cilat të bëjnë më të lehtë ndërhyrjen e zjarrfikëseve ku një banor i zonës i cili është edhe roje, shprehet se është i gatshëm të ndihmojë, por nuk ka pasur përkrahje nga banorët e tjerë.
“Të tmerruar jemi të gjithë sepse po digjen të gjitha gjërat. Jam angazhuar për të ndihmuar, por s’po vijnë asnjë. Unë jam roje këtu.”

Ndërkohë menjëherë më pas pati një reagim nga Ministri i Brendshëm, Taulant Balla. Ai kërkoi ndërhyrjen e emergjencave civile të Bashkimit Europian që sipas tij, do të sjellë forca njerëzore të specializuara ose mjete të ndërhyrjes nga ajri.
Po ashtu, ai paralajmëroi ndëshkim të ashpër të personave që venë zjarre.
“Kemi kërkuar të aktivizohet Mekanizmi i Mbrojtjes Civile të BE-së për shuarjen e zjarrit të madh. Shpresojmë që ndihma nga struktura e Emergjenca Civile në BE të mos vonojë. Shqipëria ka 1 vit që është anëtare e kësaj strukture”, tha Balla sipas asaj që raporton gazetarja Anila Sefa.
Ndërkohë ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi tha se në luftë me flakët janë dërguar 160 efektivë të Forcave të Armatosura.
“Iu bashkuan gjatë këtyre ditëve rreth 180 forcave zjarrfikëse dhe trupave të emergjencave civile të bashkisë së Fierit në aksionin për shuarjen e flakëve në Pishë Poro. Situata paraqitet e vështirë për shkak të terrenit dhe erës, e cila ndryshon drejtim herë pas here. Të angazhuar për të shmangur çdo rrezik për zonën e banuar!”, tha ai.
E njëjta zonë është përfshirë nga flakët ku u dogj një hapësirë e konsiderueshme në vitin 2007 dhe në vitin 2013 dhe duket se edhe këtë vit situata është e njëjtë./tvklan.al
