LAJME / E Enjte 12 Qershor 2025, 22:10

Sa një lagje... / Popullsia zbret si kurrë më parë në 2.36 mln banorë

Shqipëria po përballet me një rënie të qëndrueshme të popullsisë, sipas të dhënave më të fundit të publikuara nga INSTAT. Në bazë të Censit 2024 dhe përllogaritjeve të bëra më 1 janar 2025, popullsia e vendit rezulton të jetë 2.363.314 banorë, duke pësuar një tkurrje vjetore prej 1,2% krahasuar me të njëjtën datë të një viti më parë.

Dy faktorë kryesorë pas rënies demografike

Rënia e popullsisë është diktuar nga dy komponentë themelorë demografikë:

Shtesa natyrore, e cila ka mbetur ende pozitive, me një bilanc lindjesh ndaj vdekjeve prej +1.208 në vitin 2024;

Migracioni neto negativ, që ka ndikuar fort në reduktimin e popullsisë, me -28.836 persona më shumë që kanë lënë vendin sesa janë kthyer apo vendosur në Shqipëri.

Këto shifra konfirmojnë vijimin e një tendence të njohur: rënia e popullsisë jo vetëm për shkak të natalitetit në rënie dhe plakjes së popullsisë, por sidomos për shkak të emigracionit të pandalshëm.

Tirana, e vetmja në rritje – qarqet verilindore në tkurrje të thellë

Në hartën demografike të vendit, Tirana është i vetmi qark që ka shënuar rritje të lehtë të popullsisë, me një shtesë prej 0,2% krahasuar me një vit më parë. Kryeqyteti mbetet pol magnet për migrimin e brendshëm dhe aktivitetin ekonomik, duke përqendruar 32,2% të popullsisë së përgjithshme të vendit.

Nga ana tjetër, qarqet Shkodër dhe Kukës regjistrojnë rëniet më të ndjeshme, përkatësisht -2,5% dhe -2,3%, duke reflektuar shkallën e lartë të emigracionit dhe tkurrjes natyrore në këto zona. Qarqet e Fierit dhe Elbasanit vijojnë të kenë peshë të rëndësishme në shpërndarjen e popullsisë me 9,9% dhe 9,6% respektivisht.

Rritet raporti gjinor në lindje

Një tjetër zhvillim që ngre shqetësim është raporti gjinor në lindje, që është rritur nga 106,8 meshkuj për 100 femra në vitin 2023 në 107,8 në 2024 – një tregues i prirjeve të mundshme për ndërhyrje në përzgjedhjen gjinore, si dhe një sfidë për barazinë gjinore në të ardhmen do t’iu jemi mirenjohes nese do te na ndihmonit që të mirmbajmë faqen vetëm duke shtypur(mbi foton) që ndodhet më poshtë.Faleminderit për mirkuptimin SHQIPE