
Dyshohen për nxitje dhe pjesëmarrje në organizatë terroriste
Këto gra që shihni të futen njëra pas tjetër në Gjykatën e Posaçme dhe 4 burra që nuk janë gjendur nga drejtësia, janë marrë të pandehur nga Prokuroria e Posaçme për akuzën e nxitjes dhe pjesëmarrjes në organizatë terroriste.
SPAK i ka kërkuar Gjykatës të gjykojë në themel dosjen në ngarkim të shtetasve Almir Daci, Shkëlzen Dumani, Mehdi Manallari dhe Shyqyri Kaca, si dhe këtyre grave që kanë qenë më herët në Siri dhe janë riatdhesuar.
Ndërkohë burime bëjnë të ditur se nën hetim për këtë dosje janë edhe 12 persona të tjerë.
Ata dyshohet se kanë rekrutuar shqiptarë që të bëhen pjesë e luftës për xhihadin në Siri.
Hetimet për këtë grup kanë nisur vite më parë dhe janë ndjekur më pas nga Prokuroria e Posaçme, e cila në kërkesën e saj për gjykim, thotë se organizator të kësaj veprimtarie kanë qenë imami i xhamisë së Unazës së Re, Genci Balla, dhe imami i xhamisë së Mëzezit, Bujar Hysa.
Gjykata e Posaçme nuk arriti të shqyrtonte kërkesën e SPAK këtë të mërkurë për shkak të mungesës së avokatëve dhe seanca e radhës do të mbahet në 5 Tetor.
Tv Klan
