LAJME / E Hënë 10 Gusht 2026, 19:07

Reagojnë mediat në Kiev për heqjen e flamurit të Ukrainës në Prishtinë

Nuk kaloi në heshtje në Ukrainë largimi i banerit nga qendra e Prishtinës, pas vizitës së presidentit Volodymyr Zelensky në Serbi dhe deklaratës së tij për Kosovën.

Episodi ka marrë jehonë të gjerë në mediat ukrainase, duke nisur nga Kyiv Independent që në artikullin e saj me titull “Kosova duhet të respektohet”, shkruan se reagimet në Kosovë pas vizitës së parë zyrtare të Zelenskyt në Serbi, erdhën pasi ai rikonfirmoi se Kievi nuk e ka ndryshuar qëndrimin lidhur me pavarësinë e Kosovës. Dhe kjo, nënvizon media e njohur ukrainase, ndodhi pavarësisht mbështetjes që Kosova i ka dhënë Kievit gjatë luftës kundër Rusisë.

Gjatë vizitës në Beograd, Zelensky u pyet nëse Serbia mund të vazhdonte të priste të mbështetje tek i njëjti qëndrim i Ukrainës kundër njohjes së pavarësisë së Kosovës. Përgjigja e tij ishte se politika e Kievit nuk kishte ndryshuar, e madje iu referua respektimit të integritetit territorial dhe të drejtës ndërkombëtare. Këtë pjesë të deklaratës së Zelenskyt e kanë transmetuar gjerësisht edhe “European Pravda” dhe “Ukrainska Pravda”.

“The New Voice of Ukraine” përcjell edhe sjell një detaj domethënës, duke theksuar se baneri me mbishkrimin “Free Ukraine” kishte qëndruar në qendër të Prishtinës që nga fillimi i pushtimit të plotë rus të Ukrainës. Ishte kryebashkiaku i Prishtinës, Përparim Rama ai që u shpreh se “kur Kosova nuk respektohet, kryeqyteti Prishtina përgjigjet”, ishte mesazhi i tij, i transmetuar nga disa prej mediave kryesore ukrainase. Rama theksoi njëkohësisht se solidariteti me popujt që përballen me luftë, dhunë dhe përndjekje do të vazhdojë, por shtoi se respekti duhet të jetë i ndërsjellë.

Kyiv Independent raportoi edhe për reagimin e ish-ministrit të Jashtëm të Kosovës, Behgjet Pacolli, i cili e ka quajtur deklaratën e Zelenskyt “thellësisht zhgënjyese”, duke përmendur solidaritetin e Kosovës me popullin ukrainas./Top Channel, do t’iu jemi mirenjohes nese do te na ndihmonit që të mirmbajmë faqen vetëm duke shtypur(mbi foton) që ndodhet më poshtë.Faleminderit për mirkuptimin SHQIPE