LAJME / E Enjte 16 Nëntor 2023, 21:09

Po merrte pjesë në një aktivitet të Bashkisë së Korçës, ndërron jetë ish-futbollisti i Skënderbeut

Ndahet nga jeta në moshën 80-vjeçare ish-futbollisti i Skënderbeut, Veteran Topçiu.

Për 12 vite, nga viti 1960-1972 Topçiu do të luante me ekipin e Skënderbeut duke qenë nga mbrojtësit dhe mesfushorët më të mirë të kësaj skuadre.

Veteran Topçiu ishte jo vetëm futbollisti model bardhekuq, por qytetar i njohur i Korçës.

Ai dhe sot ka qenë në takimet e organizuara nga bashkia Korçë në bibliotekën “Thimi Mitko”, për të folur për shqetësimet dhe problemet e qytetit të tij.

Sipas asaj që ka mësuar gazetarja Daniela Zisi, aty ka shfaqur probleme shëndetësore.

Ndërhyrja ka qenë e menjëhershme nga ana e spitalit të Korçës, të cilët kanë bërë gjithçka për të mbajtur në jetë ish-futbollistin e Skënderbeut, i cili fatkeqësisht është ndarë nga jeta.