LAJME / E Enjte 7 Shtator 2023, 11:11

Përplasja me "Benzin" kthen përmbys furgonin në Qafën e Koshovicës (Pamje nga vendngjarja)

Një aksident i rëndë ka ndodhur para pak minutash në afërsi të Qafës së Koshovicës në Fier, ku janë përfshirë dy automjete.

Korrespondentja e Klan News, Anila Sefa, raporton se një automjet tip “Benz” është përplasur me një furgon mallrash dhe si pasojë e përplasjes së fortë janë plagosur dy drejtuesit e mjeteve, 39-vjeçari me iniciale N.H. dhe 24-vjeçari me iniciale F.L., të cilët janë dërguar me urgjencë drejt Spitalit Rajonal të Fierit.

Furgoni pas daljes nga rruga, ka përfunduar në kanalin anësor dhe është kthyer përmbys.

Si pasojë e aksidentit, në këtë aks është krijuar edhe një radhë e gjatë automjetesh prej disa kilometrash.

Në vendngjarje ndodhet policia dhe grupi hetimor, të cilët po zbardhin dinamikën e këtij aksidenti, jo vetëm me të plagosur, por edhe me dëme të shumta materiale.

Rreth orës 10:50, në vendin e quajtur “Qafa e Koshovicës”, automjeti tip “Ford” me drejtues shtetasin N. H., 39 vjeç, është përplasur me automjetin tip “Benz” me drejtues shtetasin F. L., 24 vjeç.

Si pasojë e përplasjes janë dëmtuar dy drejtuesit e mjeteve të cilët ndodhen në spital, në kujdesin e mjekëve.

Grupi hetimor po punon për zbardhjen e rrethanave të aksidentit./tvklan.al