
Të shtëna me armë zjarri u regjistruan pak pas mesnatës së të premtes në drejtim të një kafeneje në zonën e Agios Panteleimonas, në Athinë, duke lënë të plagosur një vajzë 10-vjeçare me origjinë shqiptare.
Sipas informacioneve paraprake, ngjarja ndodhi rreth orës 23:50, në rrugën Agorakritou 32. Persona ende të paidentifikuar, të cilët lëviznin me një automjet, kaluan pranë kafenesë “Amora” dhe qëlluan me armë zjarri në drejtim të fasadës së lokalit.
Si pasojë e të shtënave, 10-vjeçarja, vajza e pronarit të kafenesë, u plagos në këmbën e majtë, në pjesën e pulpës. E mitura u transportua menjëherë në Spitalin e Fëmijëve nga nëna e saj.Sipas të dhënave të para, në automjet ndodheshin katër persona, të cilët qëlluan me armë nga brenda makinës dhe më pas u larguan me shpejtësi nga vendi i ngjarjes.
Në momentin e sulmit, brenda kafenesë ndodheshin rreth 10 klientë, të gjithë shtetas shqiptarë.
Automjeti i përdorur në sulm, sipas informacioneve, u gjet i djegur pak kohë më vonë në zonën e Aspropirgou.
Ende nuk është përcaktuar nëse vajza u plagos nga një plumb apo nga një copëz e shkaktuar prej të shtënave. Ndërkohë, policia po shqyrton të gjitha provat për identifikimin e autorëve dhe zbardhjen e motiveve të sulmit.Sipas informacioneve të deritanishme, 10-vjeçarja nuk është në rrezik për jetën, ndërsa plicia ka nisur hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes.
