
Rexhep Sinaj, efektivi i Drejtorisë së Mbrojtjes së Dëshmitarëve, ka dhënë dëshminë e tij në lidhje me incidentin që u regjistrua disa ditë më parë në në paraburgimin nr. 313 në Tiranë, ku ai është dhunuar nga bashkëpunëtori i drejtësisë Nuredin Dumani.
Sinaj gjatë dëshmisë së tij ka treguar se paraditen e 7 gushtit po shkonte për të marrë shërbimin në sektorin “C”, në katin e dytë të paraburgimit, ku teksa po ngjiste shkallët me një qese ushqimesh në duar, është përballur me Dumanin.
Më pas ai pretendon se i penduar i drejtësisë e ka goditur me një kovë me ujë dhe më pas e ka qëlluar me grusht.
“…në duar po mbaja një qese me ushqime dhe, teksa po ngjisja shkallët drejt katit të dytë, në korridor ka dalë Nuredin Dumani dhe më ka goditur me një kovë uji, duke më lagur të gjithin. Në këtë moment më kanë rënë nga duart edhe ushqimet. Ndërsa Dumani më ka qëlluar edhe me grusht, duke më çarë në pjesën e hundës…”, ka dëshmuar efektivi.
Po ashtu, Sinaj ka treguar se përplasjet me Dumanin nuk kishin nisur atë ditë, pasi gjatë shërbimit ishte përballur herë pas here me ofendime të rënda nga ana e të burgosurit ndaj tij dhe familjes së tij.
Efektivi i Drejtorisë së Mbrojtjes së Dëshmitarëve, Rexhep Sinaj më 7 gusht të këtij viti u dhunua nga i penduari i drejtësisë Nuredin Dumani, në ambientet e paraburgimit nr. 313 në Tiranë.
