LAJME / E Diel 12 Korrik 2026, 22:10

Ndryshimet tatimore shtojnë barrën mbi familjet; Çmimet e pronave shtrembërohen nga pastrimi i parave

Ekspertët e qeverisjes vendore dhe çështjeve ekonomike vlerësojnë se projektligji për ndryshimin e metodës së taksimit të pasurive të paluajtshme do të ketë një ndikim gjithnjë e në rritje në barrën fiskale të qytetarëve.

 

Drejtori Ekzekutiv i Institutit për Bashkitë e Shqipërisë, Agron Haxhimali, vlerëson se reforma, në tërësi, pritet të sjellë një rritje të detyrimit tatimor, pasi ndryshon njëkohësisht bazën dhe normën e taksimit, duke kaluar nga një sistem i pjesshëm drejt taksimit mbi vlerën e përafërt të tregut të pronës.

Sipas tij, ndikimi nuk do të jetë i njëjtë për të gjithë qytetarët.


“Rritja nuk do të jetë e njëjtë për të gjithë. Shtëpia e parë përfiton një zbritje deri në 50% të vlerës, brenda pragjeve të përcaktuara nga bashkitë; ndërsa parashikohen përjashtime për familjet me ndihmë ekonomike dhe kategori të caktuara pensionistësh.

Megjithatë, për pronat në zona me vlerë të lartë, për shtëpitë e dyta, tokën dhe pronat komerciale, barra ka të ngjarë të rritet ndjeshëm.


Duhet theksuar se sistemi i ri për ndërtesat pritet të fillojë në vitin 2029 dhe për parcelat në vitin 2031; prandaj, sot nuk mund t'i jepet një faturë e saktë secilës familje pa hartat e vlerave, metodologjinë e vlerësimit dhe vendimet konkrete të këshillave bashkiake.

Por unë theksoj se taksimi i bazuar në vlerën e tregut është më i drejtë - sigurisht kur zbatohet në mënyrë korrekte.

Haxhimali argumenton se taksimi i bazuar në vlerën e tregut është, në parim, modeli më i drejtë, me kusht që të zbatohet në mënyrë korrekte dhe transparente.

Ai thekson se sfida kryesore nuk lidhet vetëm me formulën e re të taksimit, por edhe me kapacitetet administrative të bashkive për ta zbatuar atë.

Sipas tij, të ardhurat nga taksa e pasurive të paluajtshme në Shqipëri përbëjnë vetëm 0.27% të Prodhimit të Brendshëm Bruto, niveli më i ulët në rajon dhe midis vendeve të Bashkimit Evropian.

Në këtë kontekst, ai vëren se bashkitë kanë kapacitete të ndryshme administrative, regjistra të paplotë të pronave dhe nivele të ndryshme të formalizimit të tyre.

Krijimi i Kadastrës Fiskale dhe i Drejtorisë së Përgjithshme të Taksave mbi Pronën konsiderohet një hap pozitiv, por nënvizon se reforma nuk mund të ketë sukses pa investime në regjistrin e pronave, shkëmbimin e të dhënave ndërinstitucionale, dixhitalizimin e shërbimeve dhe forcimin e kapaciteteve të administratës vendore.

Eksperti ekonomik Zef Preçi thotë se rritja e taksave të pasurive të paluajtshme duhet të vijë vetëm pasi të jenë adresuar problemet strukturore të tregut dhe administrimit të pronave.

“Çmimet e pasurive të paluajtshme janë shtrembëruar nga ndikimi i parave me origjinë të paligjshme dhe zhvillimit të pakontrolluar urban. Bazimi i taksës mbi këto çmime rrezikon të legjitimojë këto shtrembërime.”

Krahasimet me vendet e rajonit janë të paplota nëse nuk krahasohet edhe cilësia e shërbimeve publike dhe infrastrukturës që u ofrohet qytetarëve.

Procesi i regjistrimit të pronës nuk ka përfunduar, duke krijuar padrejtësi, pasi barra fiskale mbahet kryesisht nga qytetarët që zbatojnë ligjin. Prioriteti duhet të jetë zgjerimi i bazës së taksapaguesve, jo rritja e barrës mbi ata që tashmë paguajnë.

Tregu i pasurive të paluajtshme kërkon formalizim më të madh dhe monitorim më të rreptë, për të luftuar evazionin fiskal, pastrimin e parave dhe transaksionet e fshehura përmes pagesave në para të gatshme ose përdorimit të palëve të treta ("prestanome").

Është e nevojshme të hartohet një hartë e re dhe objektive e vlerave të pronave, për të shmangur padrejtësitë dhe pabarazitë në taksim.

Ndryshimet fiskale duhet të marrin në konsideratë kontributin e emigrantëve, të cilët kanë financuar një pjesë të konsiderueshme të stokut të banesave dhe ndërtesave të bizneseve në vend. Rritja e taksave mund të ketë një ndikim disproporcional tek familjet me të ardhura të ulëta që zotërojnë shtëpi në zona me vlera të larta të pronave, edhe pse të ardhurat e tyre nuk janë rritur.

“Rritja e taksës mbi pronat me qira ka të ngjarë të transferohet te qiramarrësit përmes rritjes së qirasë, duke prekur edhe qytetarët që nuk zotërojnë pasuri të paluajtshme  ”, thotë ai.


Përveç ndryshimeve në taksën e pronës banesore dhe tregtare, projektligji parashikon ndryshime në llogaritjen e detyrimit tatimor për tokën dhe tokën bujqësore. Për këto kategori pasurish të paluajtshme, detyrimi do të llogaritet edhe në bazë të vlerës së tregut.

Zbatimi pritet të fillojë në vitin 2030. Kalimi nga një sistem taksimi i bazuar në sipërfaqe për tokën në një sistem taksimi të bazuar në vlerën e tregut mund të rrisë barrën tatimore.

Për këtë arsye, Neni 31 përcakton zbatimin e një zbritjeje nga vlera e vlerësuar e parcelës që i nënshtrohet taksimit, në dy vitet e para tatimore, duke filluar nga viti i vendosjes së taksës bazuar në vlerën e tregut për parcelat.

Zbritja do të jetë e barabartë me 50% të vlerës së vlerësuar të parcelës.  / Monitor, do t’iu jemi mirenjohes nese do te na ndihmonit që të mirmbajmë faqen vetëm duke shtypur(mbi foton) që ndodhet më poshtë.Faleminderit për mirkuptimin SHQIPE