LAJME / E Premte 11 Shtator 2026, 10:10

Ish-presidenti Thaçi para verdiktit: Po e paguaj në lëkurën time çmimin për Gjykatën Speciale

Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka folur për krijimin e Gjykatës Speciale, duke thënë se Kosova në atë kohë ishte “mes dy zjarreve” dhe se vendimi për themelimin e saj bashkë me partnerët ndërkombëtarë ishte “e keqja më e vogël”.

Thaçi tha se alternativa tjetër ishte që Gjykata Speciale të krijohej përmes Këshillit të Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara.

“Kosova ishte midis dy zjarresh: të themelonte gjykatën bashkërisht me partnerët ndërkombëtarë, ose të lejonte formimin e saj nga Këshilli i Sigurimit të OKB-së”, deklaroi Thaçi.

Sipas tij, Kosova zgjodhi këtë rrugë për të shmangur përfshirjen e Rusisë dhe Kinës në proces.

“U përcaktuam për të keqen më të vogël për Kosovën. Kështu e evituam Rusinë dhe Kinën nga procesi; sikur të ndodhte e kundërta, do të ishte një kthim prapa për Kosovën në kuptimin legal, politik dhe historik”, tha ai nw një intervistë për “Top Story”, nga Haga.

Thaçi nuk dha detaje të tjera për rrethanat që çuan në themelimin e Gjykatës Speciale, duke thënë se nuk dëshiron të flasë për këtë pjesë të procesit.

“Për rrethanat thelbësore të ardhjes deri te formimi i kësaj gjykate dhe ecuria e më pastajme, si një proces i gjatë dhe intrigues, nuk mund dhe nuk dua të flas”, u shpreh ai.

Ish-presidenti tha se në atë kohë ishte i zotuar që të mos i ndodhte asgjë e keqe Kosovës, ndërsa shtoi se tash po e paguan vetë çmimin për atë vendim.

“Isha i zotuar nga ana ime të mos i ndodhte asgjë e keqe Kosovës. Tani jam duke paguar çmimin në lëkurën time. Por, kapërcen edhe kjo vështirësi”, deklaroi Thaçi