LAJME / E Hënë 21 Prill 2025, 22:10

Më i madhi në botë, Shqipëria do të ketë një “qytet një miliard dollarësh sporti”

“Sporti është ekonomi. Sporti është edukim. Sporti është shëndet”, u shpreh Fidel Ylli, kreu i KOKSH. Këto janë të vërteta të pakundërshtueshme. Po aq i pamohueshëm është edhe fakti tjetër se Shqipëria ka nevojë më shumë se kurrë për sportin.

“Sporti është imazhi më i mirë i Shqipërisë në botë.” Pikërisht për t’i dhënë një tjetër hov zhvillimit të sportit, vendi do të ketë së shpejti një “qytet 1 miliard dollarësh” në afërsi të Tiranës. “Ky është një qytet olimpik që do të ketë brenda disa stadiume: një stadium futbolli olimpik me pistë atletike dhe kapacitet prej 4.508 vendesh. Do të ketë gjithashtu një pallat sporti me 6 mijë vende, një stadium të mbyllur për atletikë, si dhe fusha e stadiume të mbyllura për të gjitha sportet olimpike.”

“Do të ketë salla multisportive, pistë hokeji, fusha golfi, hapësira rekreative për fëmijët, poligon qitjeje, pishinë, muze, restorante, kinema, etj. Ai do të financohet me formatin PPP, si Arena Kombëtare. Plani i biznesit parashikon një hotel me 5 yje dhe dy hotele me 4 dhe 3 yje, zyra për biznese dhe prodhim energjie nga panelet diellore.”, u shpreh Muhamed Rexhepi, arkitekt.

Parku i ri Olimpik i kryeqytetit do të ndërtohet pranë aeroportit të Rinasit, me financimin e Arabisë Saudite.

“Kjo është një iniciativë e diskutuar me qeverinë dhe kryeministrin. Kemi rënë dakord. I kam thënë se do të gjej një tokë që të mos rëndojë buxhetin e shtetit. Pjesa dërrmuese, 2/3, është tokë shtetërore. Parcelat e tjera do të kompensohen. Por gjithçka do të mbetet pas zgjedhjeve.”

Ndërtimi i kompleksit sportiv si një qytet më vete vijon të mbetet ëndrra e Komitetit Olimpik Kombëtar. Që nga dhjetori i vitit 2023, kur për herë të parë u prezantua kjo ide ambicioze, sot Komiteti Olimpik Shqiptar ka gati edhe projektin.