
Izraeli u zgjua i tronditur edhe këtë të dielë pasi sulmet nga Gaza dhe anasjelltas kanë vijuar pa ndërprerje edhe gjatë natës së kaluar. Numri i viktimave ka kaluar mbi 800 persona nga të dyja palët. Mijëra janë të plagosurit, ndërsa militantët e Hamasit thanë se kanë marrë qindra robër izraelitë në Gaza.
Por lufta rrezikon të ketë të gjithë rajonin pasi gjatë natës Izraeli sulmoi goditi një objektiv të milicisë së Hezbollahut në Libanin jugor. Sulmet ajrore izraelite goditën pa ndërprerje Gazën duke vrarë më shumë se 400 palestinezë dhe duke shkatërruar ndërtesa, tunele dhe shtëpi të zyrtarëve të Hamasit.
Kryeministri Benjamin Netanyahu u zotua për “një hakmarrje të madhe”. Sulmi i papritur i Hamasit të shtunën konsiderohet si më i madhi dhe më i përgjakshmi ndaj Izraelit që kur Egjipti dhe Siria filluan një sulm të papritur në Yom Kippur 50 vjet më parë.
Autoritetet izraelite thanë se deri tani kanë mbi 400 civilë dhe ushtarë të vrarë. Në krahun tjetër, udhëheqësi i Hamasit, Ismail Haniyeh tha se sulmi që nisi në Gaza do të përhapet në të gjithë Bregun Perëndimor dhe në Jerusalem.
Vendet Perëndimore të udhëhequra nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Europian e dënuan sulmin e palestinezëve. Ndërsa në Lindjen e Mesme, pati demonstrata në mbështetje të Hamasit ku u dogjën flamuj të Izraelit dhe Shteteve të Bashkuara.
TË GJITHA ZHVILLIMET MINUTË PAS MINUTI
Ora 14:05 - Mediat e huaja: Më shumë se 500 izraelitë të vrarë
Mediat lokale raportojnë se më shumë se 500 izraelitë janë vrarë që kur militantët palestinezë nisën sulmin.
Ministria e Shëndetësisë tha se 313 njerëz ishin vrarë në Rripin e Gazës nga sulmet ajrore izraelite, me gati 2,000 të plagosur.
Ora 13:40 - "Më shumë se 400 izraelitë të vrarë"
Stacionet televizive izraelite raportojnë se militantët palestinezë kanë vrarë më shumë se 400 izraelitë që nga fillimi i sulmit të djeshëm.
Ora 12:15 - "Dy turistë izraelitë të vrarë në Egjipt"
Dy turistë izraelitë dhe guidatori i tyre egjiptian janë qëlluar për vdekje në qytetin egjiptian të Aleksandrisë. Lajmin e bëri të ditur tha ministria e Jashtme e Izraelit.
Një oficer policie dyshohet se hapi zjarr ndaj një grupi turistësh izraelitë në qytet. Sipas raportimeve, oficeri tani është në paraburgim.
Kanali televiziv "Extra News" citoi gjithashtu një zyrtar të paidentifikuar të sigurisë të thoshte se një person tjetër u plagos në sulm. Ky është sulmi i parë i tillë ndaj izraelitëve në Egjipt në dekada.
Ora 11:50 - Zhduket britaniku në Izrael
Ambasada izraelite në Britaninë e Madhe ka bërë me dije se shtetasi britanik, i identifikuar si Jack Marlowe, është zhdukur në Izrael pas sulmit palestinez. Mbetet e paqartë nëse ai është marrë peng.
Sipas nënës së tij, Marlowe po punonte si staf sigurie në një festë në Kibbutz Re’im, pranë kufirit me Gazën, kur ndodhi sulmi.
Në një përgjigje me email ndaj pyetjeve në lidhje me anglezin, një zëdhënës i ambasadës tha për BBC: Raportohet i zhdukur, në këtë pikë të situatës, nuk e dimë nëse është marrë peng.
Kjo vjen pasi një raport i Sky News citoi ambasadën të thoshte se ai kishte humbur kontaktet që nga mëngjesi i së shtunës.
Ora 11:20 - "Më shumë se 400 palestinezë të vrarë"
Sipas zëdhënësit të Forcave të Mbrojtjes së Izraelit, Daniel Hagari, më shumë se 400 palestinezë janë vrarë në jug të Izraelit dhe në Rripin e Gazës dhe dhjetëra të tjerë janë kapur.
“Ka Forca të Mbrojtjes së Izraelit në të gjitha qytetet”, ka thënë ai.
Një raport i mëparshëm nga agjencia e lajmeve “Reuters” tha se qindra persona të armatosur palestinezë ishin vrarë që kur Hamasi filloi sulmin e tij të shtunën.
Përleshjet midis forcave izraelite dhe militantëve palestinezë po vazhdojnë në disa pjesë të Izraelit jugor, sipas mediave të huaja.
"Haaretz" raporton se forcat izraelite luftuan me 10 luftëtarë të armatosur në një stacion policie në Sderot, afër kufirit të Gazës, megjithëse thotë se zona tani besohet të jetë nën kontrollin izraelit.
Gazeta citoi ushtrinë izraelite të thoshte se kishte marrë përsëri kontrollin e shumicës së zonave në jug gjatë natës, por shtoi se përleshjet po vazhdonin në Be'eri, gjithashtu afër kufirit të Gazës, Sderot dhe katër vendodhje të tjera jugore, të cilat nuk i specifikoi.
"Haaretz" raporton gjithashtu se banorët në Kfar Aza, një zonë tjetër afër kufirit të Gazës janë ende në shtëpitë e tyre duke pritur për ndihmë pasi nuk mund të dalin nga banesat si pasojë e sulmeve.
Ora 09:50 - Ambasada e Izraelit në Turqi: Të paktën 300 izraelitë të vrarë
Të paktën 300 izraelitë janë vrarë deri më tani dhe dhjetëra janë rrëmbyer, tha Ambasada e Izraelit në Turqi, duke cituar Ministrinë e Shëndetësisë të Izraelit.
Afro 2,000 njerëz po trajtohen në spitale, 19 prej tyre janë në gjendje kritike.
Ora 09:40 - Autoritetet: 313 palestinezë të vrarë në Gaza
Në total, 313 palestinezë janë vrarë dhe rreth 2,000 janë plagosur në Gaza nga sulmet ajrore hakmarrëse izraelite që nga e shtuna, sipas Ministrisë Palestineze të Shëndetësisë.
Ora 09:35 - Izraeli: Avionët luftarakë synojnë kreun e inteligjencës së Hamasit

Forcat Ajrore Izraelite thonë se avionët e saj luftarakë kanë goditur një kompleks që i përket shefit të Departamentit të Inteligjencës në organizatën terroriste Hamas.
Avionët izraelitë kanë goditur një numër objektivash në Rripin e Gazës qëkur militantët kaluan në territorin izraelit ditën e shtunë.
Sipas korrespondentit të BBC News në Gazë, tingujt e shpërthimeve që vijnë si pasojë e sulmeve janë të vazhdueshme.
Autoritetet palestineze thonë se më shumë se 250 persona janë vrarë.
Ora 09:20 - Ambasada e Izraelit në SHBA: 100 civilë dhe ushtarë izraelitë të rrëmbyer
Ambasada izraelite në Shtetet e Bashkuara të Amerikës thotë se janë rrëmbyer 100 civilë dhe ushtarë izraelitë.
Në një postim në rrjetin social “X”, Ambasada e Izraelit në SHBA thotë gjithashtu se më shumë se 300 izraelitë janë vrarë dhe mbi 1,800 janë plagosur.
Këto shifra nuk janë konfirmuar zyrtarisht nga Izraeli.
PERPLASJA IZRAEL-HAMAS PËRMES FOTOVE








