
Luis Meçja, 14-vjeçari që u plagos me thikë gjatë një sherri ku shoku i tij, Martin Cani, humbi jetën, ka dalë ditën e djeshme nga spitali. Sipas spitalit, i mituri është në gjendje stabël dhe tashmë mund të kurohet jashtë spitalit, ndërsa familja po kërkon që ta transferojë jashtë shtetit. Ndërkohë ngjarja vazhdon të ketë impakt të madh në publik, aktivistë dhe qytetarë kanë paralajmëruar protestën e radhës. Tubimi i radhës është caktuar, të martën, më 3 dhjetor ku sërish do të ketë një marshim nga shkolla “Fan Noli” tek Ministria e Arsimit. Kërkesat janë të njëjta, rritja e sigurisë në shkolla dhe dorëheqja e ministres së Arsimit dhe Sporteve, Ogerta Manastirliu.
Zv/drejtori i policisë hedh dritë mbi vrasjen e 14-vjeçarit
Nga ana tjetër Idriz Daulla, zv/drejtori i Policisë së Tiranës, ka dhënë dje detaje lidhur me këtë ngjarje të rëndë. Ai tha se autori i dyshuar ishte i shoqëruar nga një shok. Daulla tha se Policia ka marrë dëshmitë, ka mbledhur pamjet filmike, sikundër edhe dëshmitë dhe ka arritur në përfundimin se ka vetëm një autor. “Ne nuk kemi ende një person që të provojë dëshminë e dhënë se ka pasur dy autorë”, tha Daulla. Ai ka pohuar se nuk ka një pamje të plotë filmike lidhur me atë që ka ndodhur nga momenti i parë deri në momentin e vrasjes, por shtoi se nga një pamje rezulton se autori ishte i shoqëruar nga një shok. Ai tha se ka pamje që duken të shtyra me duar, por nuk ka pamje që të ketë përdorimin e thikës.
Sipas tij, edhe dëshmia e fëmijës së plagosur është vlerësuar, ka disa ekzaminime të tjera që priten përgjigje. “Kemi edhe një kushëri të Luizit, fëmijës së plagosur, që nuk pretendon se ka pasur një person të dytë me thikë aty”, tha Daulla. “Nga vendi i ngjarjes autori i dyshuar është larguar në këmbë, ka takuar një shokun e shkollës, por jo i përfshirë në ngjarje, e ka marrë me monopatinë e ka çuar në një qendër shëndetësore. Aty i kanë thënë që plaga ka nevojë për një trajtim tjetër dhe i është thënë të shkojë në spital, pas kësaj autori i dyshuar ka hipur në një taksi”, tha Daulla në “News 24”. Sipas tij, autori i dyshuar ka ikur në këmbë nga vendi i ngjarjes, dhe ka takuar këtë shokun me monopatinë, i cili ka qenë 100 metra larg vendit të ngjarjes, pra s’ka qenë në vendin e krimit.
Çfarë dihet deri tani për vrasjen e Martin Canit?
Martin Cani humbi jetën mesditën e 18 tetorit pasi u qëllua me thikë në bark nga bashkëmoshatari i tij, Mario Përlleshaj. Sherri mes të miturve kishte nisur që të premten. Të hënën ishin riparë dhe ishin zënë gjatë orarit të pushimit të gjatë në oborrin e shkollës. Pas përfundimit të mësimit, të dy kishin mbledhur shokët për t’u përballur, por situata ka agravuar në përdorimin e thikës. Pasi është goditur me thikë, Cani është afruar tek shkolla, ka ecur disa metra dhe pasi ka nisur të humbë gjak, është rrëzuar në trotuarin para shkollës.
Si pasojë e plagëve të marra, Cani ka ndërruar jetë në spital. Ndërsa shoku i tij, Luis Meçe, mori 4 goditje me thikë, por fatmirësisht është jashtë rrezikut për jetën dhe dje ka lënë spitalin. Autori gjithashtu mbeti i plagosur në dorë, por kjo nuk e pengoi që pak çaste pas krimit të rëndë autori të pozonte për “Snapchat”. Sipas Policisë, fotoja i është bërë nga një shok i papërfshirë në përplasje teksa ishin duke shkuar me taksi për në spital. Tashmë, ai është shoqëruar në institucionin për të miturit në Kavajë, në pritje të verdiktit për dënimin e tij.
