LAJME / E Mërkurë 2 Shtator 2026, 14:02

E FUNDIT/ Jep dorëheqjen ministrja e Shëndetësisë, Evis Sala

Evis Sala ka dhënë dorëheqjen nga posti i ministres së Shëndetësisë, raporton News24.

Burime nga mbledhje e qeverisë bëjnë të ditur se ministrja ka dorëzuar dorëheqjen kryeministrit Rama.

**Ministrja e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Evis Sala, është dorëhequr nga detyra, më pak se një vit pasi mori drejtimin e një prej dikastereve më të rëndësishme të qeverisë “Rama 4”.**

Burime bëjnë me dije se Sala e ka bërë të ditur vendimin gjatë mbledhjes së qeverisë, ku ka deklaruar se do të largohet nga posti ministror për të vijuar projektet e saj akademike.

Largimi i saj vjen në një moment të rëndësishëm për sektorin e shëndetësisë, ndërsa një sërë reformash dhe ndryshimesh të nisura gjatë muajve të fundit ndodhen ende në proces zbatimi.

Evis Sala u prezantua nga kryeministri Edi Rama më 11 shtator 2025 si ministre e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale në kabinetin e ri qeveritar. Emërimi i saj ishte një nga surprizat e qeverisë “Rama 4”, pasi Sala vinte nga një karrierë e gjatë akademike dhe mjekësore jashtë Shqipërisë dhe nuk kishte pasur më parë një profil aktiv politik në vend.

Ajo ishte rikthyer në Shqipëri pas një karriere ndërkombëtare në fushën e radiologjisë dhe veçanërisht të imazherisë onkologjike, me eksperiencë në disa prej institucioneve më të njohura akademike dhe shëndetësore në Europë dhe Shtetet e Bashkuara. Para marrjes së detyrës ministrore, Sala kishte mbajtur pozicione drejtuese dhe akademike në Itali, ndërsa më herët kishte punuar në Universitetin e Kembrixhit dhe në Memorial Sloan Kettering Cancer Center në Nju Jork.

Dorëheqja merr një rëndësi të veçantë edhe për shkak të momentit në të cilin ndodh. Pikërisht muaji shtator ishte parashikuar të shënonte nisjen e një faze të re për disa shërbime të rëndësishme shëndetësore.

Më 30 korrik, Sala kishte njoftuar se shërbimet e check-up-it dhe dializës do të kalonin nga shtatori në ofrim nga shteti, duke e paraqitur këtë si një ndryshim të rëndësishëm në mënyrën e administrimit të shërbimeve shëndetësore.

Në të njëjtën periudhë, qeveria kishte miratuar edhe krijimin e Institutit Kombëtar të Onkologjisë, një prej projekteve që Sala e kishte vendosur në qendër të mandatit të saj. Reforma synonte organizimin e kujdesit ndaj kancerit në një sistem kombëtar më të integruar, decentralizimin e një pjese të trajtimeve dhe forcimin e diagnostikimit dhe radioterapisë.

Onkologjia ishte në fakt fusha ku Sala kishte vendosur theksin më të madh që në ditët e para të marrjes së detyrës. Kur u prezantua në krye të Ministrisë së Shëndetësisë, ajo evidentoi si një prej prioriteteve urgjente çështjen e rimbursimit dhe aksesit në barnat onkologjike.

Gjatë vitit 2026 Ministria kishte njoftuar gjithashtu zgjerimin e trajtimeve onkologjike jashtë Tiranës. Në muajin gusht u rikualifikua njësia e kimioterapisë në Spitalin Rajonal të Korçës, me synimin që qindra pacientë të mos detyroheshin të udhëtonin drejt QSUT-së për çdo seancë trajtimi.

### Vetëm pak ditë më parë vijonte aktivitetin publik

Vendimi për dorëheqje duket edhe më i papritur po të shihet aktiviteti publik i ministres gjatë ditëve të fundit të gushtit.

Më 27 gusht u njoftua hapja e shërbimit të trombektomisë në QSUT, ndërsa vetëm një ditë më vonë, më 28 gusht, Ministria e Shëndetësisë njoftoi se Evis Sala ishte përfshirë mes grave më me ndikim në fushën e onkologjisë për vitin 2026 nga platforma ndërkombëtare OncoDaily.

Vetëm disa ditë më pas, QSUT u detyrua të reagojë ndaj pretendimeve të publikuara në rrjetet sociale se shërbimi i ri i trombektomisë nuk ishte funksional, duke deklaruar më 31 gusht se shërbimi ishte në gatishmëri dhe se stafi ishte përgatitur për trajtimin e pacientëve që kishin nevojë për ndërhyrje neurovaskulare.

Po më 31 gusht, Ministria e Shëndetësisë reagoi edhe lidhur me humbjen e jetës së një pacienteje, duke njoftuar se kishte kërkuar një vlerësim të plotë dhe të pavarur të mënyrës së menaxhimit të rastit dhe duke deklaruar se, nëse evidentoheshin parregullsi apo mangësi, do të merreshin masat përkatëse.

**Nuk ka deri tani të dhëna që ta lidhin dorëheqjen e Salës me këto zhvillime**, ndërsa sipas burimeve të Report Tv, vetë ministrja e ka argumentuar vendimin me dëshirën për t’iu rikthyer projekteve të saj akademike.

### Në gusht ishte folur edhe më parë për një dorëheqje

Interesant është fakti se lajme për një largim të mundshëm të Evis Salës kishin qarkulluar edhe më parë.

Më 6 gusht 2026, në media dhe rrjetet sociale u përhapën pretendime se Sala mund të kishte dhënë dorëheqjen. Në atë kohë, Ministria e Shëndetësisë i hodhi poshtë këto raportime dhe deklaroi se ministrja vijonte normalisht detyrën.

Këtë herë, megjithatë, situata është tjetër, pasi sipas burimeve të Report Tv, Sala e ka komunikuar vetë largimin gjatë mbledhjes së qeverisë.

### Një mandat i shkurtër, por me shumë lëvizje në sistem

Evis Sala largohet pas më pak se 12 muajsh në krye të Ministrisë së Shëndetësisë, periudhë gjatë së cilës ndërmori edhe ndryshime të rëndësishme në drejtimin e institucioneve të varësisë.

Vetëm pak ditë pas marrjes së detyrës, në shtator të vitit 2025, u largua drejtori i atëhershëm i Fondit të Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor, Spartak Zekja, dhe në vend të tij u emërua Arti Papajani.

Por ndryshimet në FSDKSH nuk përfunduan aty. Në maj të këtij viti u largua edhe Papajani dhe drejtimi i institucionit iu besua Ilir Topit, duke treguar se gjatë mandatit të Salës pati një ritëm të lartë ndryshimesh në nivelet drejtuese të sistemit.

Ndërkohë, opozita kishte ngritur në vazhdimësi akuza për situatën në sistemin shëndetësor, veçanërisht për Onkologjikun, furnizimin me barna, aparaturat dhe kapacitetet e trajtimit.

Në një interpelancë parlamentare të zhvilluar më 23 prill, deputetë të opozitës ngritën pretendime për mungesë barnash dhe probleme me disa pajisje në Onkologjik. Sala i kundërshtoi një pjesë të këtyre akuzave, duke deklaruar se në QSUT nuk mungonin barna dhe duke premtuar zgjidhjen brenda vitit 2026 të disa prej problemeve të evidentuara.

Në korrik u zhvillua një tjetër debat pas publikimit të një kërkese të QSUT-së për sigurimin përmes donacioneve të disa pajisjeve mjekësore, përfshirë respiratorë dhe defibrilatorë. Opozita e përdori dokumentin për të akuzuar qeverinë për situatën e financimit të shëndetësisë, ndërsa përfaqësuesit e mazhorancës deklaruan se nevojat ishin adresuar.

Pavarësisht debateve, gjatë muajve të fundit qeveria dhe ministrja Sala kishin prezantuar një numër projektesh të reja, nga Instituti Kombëtar i Onkologjisë te decentralizimi i kimioterapisë, përdorimi i teknologjive të reja në diagnostikim dhe hapja e shërbimeve të reja në QSUT.

Pikërisht për këtë arsye, largimi i saj hap tashmë pikëpyetjen se **kush do ta marrë drejtimin e Ministrisë së Shëndetësisë dhe nëse ndryshimi në krye të institucionit do të ndikojë në ritmin e reformave që janë aktualisht në proces**.

Veçanërisht e rëndësishme mbetet mënyra se si do të menaxhohet kalimi i shërbimeve të check-up-it dhe dializës, projektet në fushën e onkologjisë, funksionimi i Institutit Kombëtar të Onkologjisë, investimet në QSUT, politikat për barnat e rimbursueshme dhe problematika e vazhdueshme e mungesës së personelit mjekësor.

Sala vetë e kishte ngritur publikisht edhe problemin e largimit të mjekëve dhe profesionistëve të shëndetësisë drejt vendeve të tjera europiane, duke e cilësuar “largimin e trurit” si një sfidë jo vetëm shqiptare, por europiane.

### Nga akademia në qeveri dhe sërish drejt akademisë

Profili i Evis Salës kishte qenë i pazakontë për politikën shqiptare.

Ajo erdhi në qeveri drejtpërdrejt nga bota akademike dhe mjekësore ndërkombëtare, pas afro tri dekadash karrierë jashtë vendit. Rama e prezantoi zgjedhjen e saj si afrimin në ekzekutiv të një profesionisteje të diasporës me eksperiencë ndërkombëtare.

Sala është specialiste e radiologjisë dhe imazherisë onkologjike dhe ka mbajtur poste akademike dhe drejtuese në institucione të rëndësishme në Itali, Mbretërinë e Bashkuar dhe Shtetet e Bashkuara. Në momentin e marrjes së detyrës ajo mbante titullin profesore e Radiologjisë në Università Cattolica del Sacro Cuore në Romë.

Tashmë, më pak se një vit pasi hyri në kabinetin “Rama 4”, Sala duket se do të rikthehet pikërisht në fushën nga e cila erdhi në politikë.

Dorëheqja e saj krijon një tjetër lëvizje në kabinetin qeveritar, i cili gjatë këtij mandati ka kaluar tashmë disa ndryshime në poste të rëndësishme ministrore. Në muajt e mëparshëm kryeministri Edi Rama ndërmori një riformatim më të gjerë të kabinetit, me largime dhe zhvendosje në disa ministri.

Tashmë vëmendja është tek vendimi i kryeministrit për drejtimin e Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale dhe tek emri që do të marrë përsipër një dikaster që, për shkak të reformave të nisura dhe problemeve të akumuluara të sistemit, konsiderohet një prej portofoleve më të vështira të qeverisë.

**Deri në këto momente nuk janë bërë të ditura publikisht detaje të tjera mbi vendimin e Evis Salës apo mbi emrin që pritet ta zëvendësojë në krye të Ministrisë së Shëndetësisë.**