
FUSHË-ARRËZ – Rreth 120 banorë të Fushë-Arrëzit janë paraqitur gjatë katër ditëve të fundit në Qendrën Shëndetësore të qytetit, me simptoma që dyshohet se mund të jenë shkaktuar nga ndotja e ujit të pijshëm.
Rasti është bërë shqetësues për banorët, të cilët një ditë më parë denoncuan se uji që furnizon banesat e tyre kishte një erë të rëndë. Sipas tyre, ankesat janë bërë më herët, por deri më tani nuk është marrë një masë konkrete për zgjidhjen e situatës.
Pas denoncimeve, strukturat e Shëndetit Publik dhe ato të Higjienës kanë marrë kampione nga uji i pijshëm që furnizon banorët, të cilat do t’i nënshtrohen analizave laboratorike.
Megjithatë, deri në këto momente nuk ka ende një përgjigje zyrtare që të konfirmojë nëse simptomat e banorëve janë shkaktuar nga ndotja e ujit.
Për situatën ka reaguar edhe nënkryetari i Bashkisë së Fushë-Arrëzit, Mikel Qafa. Sipas tij, përgjegjësia për furnizimin me ujë të pijshëm i takon Shoqërisë Rajonale të Ujësjellës-Kanalizimeve Shkodër.
Qafa e ka lidhur situatën edhe me debatet e fundit për organizimin e shërbimeve publike dhe propozimin për bashkimin e Fushë-Arrëzit me Bashkinë Pukë, duke e cilësuar këtë situatë si pasojë të përpjekjeve për largimin e shërbimeve nga qytetarët.
Ndërkohë, në mungesë të një zgjidhjeje institucionale prej disa ditësh, banorët po përdorin ujin e krojeve si alternativë për furnizimin me ujë të pijshëm.
Përfundimet e analizave laboratorike pritet të përcaktojnë nëse uji i rrjetit është i ndotur dhe nëse ekziston një lidhje mes cilësisë së ujit dhe problemeve shëndetësore të raportuara nga banorët.
