LAJME / E Diel 29 Tetor 2023, 03:03

Lufta e Izraelit me Hamasin përplas Erdogan me Netanyahun

Presidenti: Krime lufte në Gaza/ Kryeministri: Jemi ushtria me moral

Izraeli ka nisur fazën e dytë të luftës, duke intensifikuar bombardimet, pas njoftimit se trupat tokësore ushtarake kanë hyrë në veriun e Gazës.

Kryeministri izraelit Benjiam Netanjahu në një konferencë për shtyp tha se kjo fazë e gjere operacionale nga toka dhe nentoka ka si qëllim shkatërrimin e Hamasit dhe kthimin e pengjeve në shtëpi.

Teksa e cilëson luftën si një pavarësi të dytë për Izraelin, ai shtoi se ajo do të jetë e gjatë.

Sa i përket luftës së nisur nga 7 tetori, presidenti i Turqisë, Rexhep Taip Erdoan në tubim të mbajtur në Ankara pro Palestinës, ku pretendohet se morën pjesë 1,5 milionë persona, akuzoi Izraelin për krime lufte.

“Izraeli plotësisht prej 22 ditësh po kryen në mënyrë të hapur krime lufte. Izrael, edhe ne tani do të të shpallim para botës si ‘kriminel lufte‘. Por, liderët perëndimor jo që nuk reagojnë ndaj kësaj, por nuk bëjnë as edhe thirrje për armëpushim”.

Replika në distancë për këtë deklaratë erdhi nga vetë Kryeministri izraelit, ndonëse nuk e përmendi me emër.

“Mos na akuzoni për krime lufte. Nëse mendoni se mund t’i akuzoni ushtarët tanë për krime lufte, kjo është hipokrizi. Ne jemi ushtria më morale në botë”.

Ndërsa ministri i Jashtëm i Izraelit, Eli Cohen, njoftoi u dha një urdhër të menjëhershëm përfaqësuesve diplomatikë të vendit që të largohen menjëherë nga Turqia, në mënyrë që të “rishqyrtojnë marrëdhëniet” mes dy shteteve.

Që nga nisja e konfliktit më 7 tetor, autoritetet palestineze shprehen se janë regjistruar mbi 7700 viktima. Bombardimet ndërprenë linjat e komunikimit në Gazën e rrethuar, duke bërë që 2.3 milionë persona të mbesin pa kontakt me botën jashtë.