
Personi i arrestuar nën dyshimin për kanosjen e ministrit në detyrë të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, është Remzi Hajzeraj, 43 vjeç, i cili u ndalua të martën në Aeroportin Ndërkombëtar “Adem Jashari” në Prishtinë, menjëherë pas hyrjes në territorin e Kosovës.
Sipas raportimeve, Hajzeraj ishte shpallur në kërkim në kuadër të një hetimi për veprën penale “Kanosje”, që lidhet me një rast të regjistruar në nëntor të vitit 2025.
Në raportin 24-orësh, Policia e Kosovës ka konfirmuar arrestimin e të dyshuarit.
“Në lidhje me rastin, më 07.07.2026 është arrestuar i dyshuari, pasi i njëjti përmes rrjeteve sociale kishte kanosur Ministrin e Punëve të Brendshme të Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftimin e Policisë.
Me vendim të Prokurorit të Shtetit, ndaj të dyshuarit është caktuar masa e ndalimit prej 48 orësh, ndërsa hetimet lidhur me rastin janë duke vazhduar.
Ndërkohë, mediumi Paparaci raporton se Remzi Hajzeraj është vëllai i Januz Hajzerajt, zyrtar në Komunën e Pejës, i cili ushtron detyrën e Koordinatorit të Sistemit të Performancës. Sipas të njëjtit raportim, Januz Hajzeraj ka qenë më herët edhe drejtor i Qendrës së Kulturës në Pejë.
Ky raportim lidhet vetëm me marrëdhënien familjare dhe nuk nënkupton përfshirje apo përgjegjësi të Januz Hajzerajt në rastin që po hetohet. Deri më tani, autoritetet nuk kanë lidhur asnjë person tjetër me këtë çështje.
Hetimet për rastin e kanosjes janë ende në zhvillim dhe autoritetet pritet të dalin me informacione shtesë pas përfundimit të veprimeve procedurale.
Në përputhje me parimin e prezumimit të pafajësisë, Remzi Hajzeraj konsiderohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata, do t’iu jemi mirenjohes nese do te na ndihmonit që të mirmbajmë faqen vetëm duke shtypur(mbi foton) që ndodhet më poshtë.Faleminderit për mirkuptimin SHQIPE
