LAJME / E Diel 13 Shtator 2026, 05:05

Vdekja tronditëse e 35-vjeçares Denise Cosco: Fundi tragjik i vajzës që sfidoi mafian italiane ’Ndrangheta

Denise Cosco, vajza e dëshmitares famëkeqe të shtetit kundër mafias italiane Lea Garofalo, ka ndërruar jetë në një spital të Romës në moshën 35-vjeçare, pas dyshimeve se i dha fund jetës. Ngjarja ka tronditur opinionin publik në Itali dhe aktivistët kundër krimit të organizuar.

Ajo ndërroi jetë në të njëjtën moshë kur nëna e saj u vra barbarisht në vitin 2009 nga klanet e ‘Ndrangheta-s. Lea Garofalo u mashtrua, u mbyt dhe më pas trupi i saj u dogj nga i ati i Denisës, Carlo Cosco, pasi ajo kishte pranuar të bëhej dëshmitare drejtësie.

Gjatë procesit gjyqësor, Denise gjeti guximin të dëshmonte kundër të atit, duke u bërë një prej figurave kyçe që çoi në dënimin e tij me burgim të përjetshëm. Prej viteve të ngjarjes, ajo jetonte nën mbrojtjen e shtetit, me emër dhe identitet të ndryshuar për shkaqe sigurie.

Aktivistët dhe përfaqësuesit e organizatave kundër mafias, si "Libera", theksuan se tragjedia nxjerr në pah vuajtjet e thella psikologjike dhe izolimin që përjetojnë personat që shkëputen nga rrjetet e krimit të organizuar. Prokuroria italiane ka nisur hetimet për të verifikuar nëse ka pasur nxitje apo rrethana të tjera që çuan në këtë ngjarje tragjike.