Këshilli i Ministrave ka miratuar një vendim të rëndësishëm që përcakton procedurat, mënyrat dhe rregullat për rikthimin në shërbimin aktiv të ushtarakëve në rezervë në Forcat e Armatosura të Shqipërisë.
Ky vendim synon të garantojë një proces transparent dhe të drejtë, duke respektuar parimet e barazisë, meritokracisë dhe mosdiskriminimit, me qëllim plotësimin e nevojave për personel të kualifikuar dhe forcimin e kapaciteteve mbrojtëse të vendit. Rikthimi në shërbim aktiv do të bëhet në dy raste kryesore: kur shtohet numri i përgjithshëm i personelit dhe kur kërkohen specialitete specifike për ruajtjen e operacionalitetit të forcave, si dhe në rastet e mobilizimit të përgjithshëm ose të pjesshëm.
Shtabi i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura, në bashkëpunim me strukturat përkatëse, do të hartojë kërkesat për rikthim dhe do t’i përcjellë ministrit të Mbrojtjes për miratim. Pas miratimit, Ministria e Mbrojtjes do të publikojë njoftimet zyrtare me të gjitha informacionet e nevojshme, ndërsa ushtarakët do të aplikojnë online në portalin “e-Albania” brenda një afati 10-ditor. Qendra e Personel-Rekrutimit do të bëjë verifikimin e aplikimeve dhe do t’i përcjellë për vlerësim komisionit përkatës. Komisionet e vlerësimit dhe të shqyrtimit të ankimeve përbëhen nga anëtarë të emëruar nga ministri i Mbrojtjes dhe Shefi i Shtabit të Përgjithshëm.
Vendimet do të shpallen përmes portalit “e-Albania”, duke lejuar ankimin sipas Kodit të Procedurave Administrative. Ushtarakët që rikthehen do të emërohen në detyrë sipas specialitetit të tyre dhe do të nënshkruajnë kontratë shërbimi. Gjatë periudhës së kontratës, ata ruajnë gradën që kanë pasur në momentin e daljes në rezervë, por nuk kanë të drejtë të përparojnë në gradë apo të konkurrojnë për pozicione më të larta. Në rast mobilizimi, Shtabi i Përgjithshëm do të hartojë planin për plotësimin e personelit dhe njoftimet do të shpallen publikisht në media dhe në faqen zyrtare të Ministrisë së Mbrojtjes. Ushtarakët në rezervë do të njoftohen individualisht për rikthim në shërbim aktiv. Si dispozitë kalimtare, deri në krijimin e infrastrukturës së duhur teknike për aplikim dhe ankime online, procedurat do të kryhen pranë Qendrës së Personel-Rekrutimit.
“Ky vendim hyn në fuqi menjëherë pas botimit në “Fletoren Zyrtare” dhe ngarkon Ministrinë e Mbrojtjes, Shtabin e Përgjithshëm dhe Qendrën e Personel-Rekrutimit me përgjegjësinë e zbatimit të tij”,-thuhet në vendim.
Dokumentacioni i kërkuar përfshin, ndër të tjera, vetëdeklarimin, jetëshkrimin, vërtetimin e gjendjes gjyqësore, vërtetimin nga prokuroria për mungesën e procedimeve penale, certifikatat mjekësore, si dhe dëshmi për arsimimin dhe kualifikimet e nevojshme. Pas përfundimit të procesit të vlerësimit dhe ankimit, listat e kandidatëve fitues miratohen nga autoritetet përkatëse. Ushtarakët e rikthyer emërohen në detyrë sipas specialitetit të tyre dhe nënshkruajnë kontratën e shërbimit. Gjatë periudhës së kontratës, ata ruajnë gradën që kanë pasur në momentin e daljes në rezervë dhe nuk kanë të drejtë të konkurrojnë apo të përparojnë në gradë.
Vendimi parashikon edhe procedurat e veçanta për rikthimin e ushtarakëve në rast të mobilizimit të përgjithshëm ose të pjesshëm, ku njoftimi bëhet publik përmes medias kombëtare dhe kandidatët njoftohen me shkrim nga Qendra e Personel-Rekrutimit për të vijuar më tej me procedurat përkatëse.
DOKUMENTACIONI I KËRKUAR PËR APLIKIM
Formulari i vetëdeklarimit
Jetëshkrimi
Vërtetimi i gjendjes gjyqësore
Vërtetimi nga Prokuroria
Vërtetimi nga Gjykata
Vërtetimi për largim nga administrata publike
Vërtetimi mjekësor
Fotokopje e noterizuar e diplomës dhe listës së notave
Fotokopje e noterizuar e kualifikimeve të nevojshme për specialitetin e kërkuar, do t’iu jemi mirenjohes nese do te na ndihmonit që të mirmbajmë faqen vetëm duke shtypur(mbi foton) që ndodhet më poshtë.Faleminderit për mirkuptimin SHQIPE