LAJME / E Hënë 16 Tetor 2023, 12:12

Kthesa e madhe... Dani Alves arrin marrëveshje me drejtësinë, pranon për**unimin e 23-vjeçares

Episodi i ri i çështjes "Alves". Ish-futbollisti i Barcelonës, i cili qëndron provizorisht në burgun e Brians 2 deri në gjyq, ka arritur një marrëveshje me drejtësinë për të ndryshuar situatën e tij.

Kujtojmë se braziliani akuzohet për përdhunimin e dyshuar të një vajze 23-vjeçare në klubin e natës "Sutton" në Barcelonë, më 30 dhjetor 2022.

Që atëherë kanë kaluar nëntë muaj, në të cilët ka pasur ndryshime më se të rëndësishme. Cristóbal Martell është zëvendësuar nga avokatja e specializuar për sulmet seksuale dhe ligjin penal, Inés Guardiola. Kjo mund ta drejtojë çështjen në një drejtim tjetër.

Sipas "El Español", Dani Alves thuhet se ka arritur një marrëveshje me drejtësinë, si rezultat i kësaj strategjie të re të mbrojtjes. Diçka që është bërë për t’i ulur sa më shumë dënimin, pasi kodi penal parashikon nga 8 deri në 10 vite burg.

Ajo që duket se do të ndodhë, sipas burimeve gjyqësore të konsultuara nga "El Español", është se Dani Alves do të dëmshpërblejë, para së gjithash, viktimën, duke u deklaruar fajtor për krimin për të cilin akuzohet.

Duket si dorëzim, pas pesë versioneve të dhëna deri tani, në të gjitha duke mbrojtur pafajësinë e tij. Nëna e futbollistit brazilian, Lucía Alves, e ka shprehur vazhdimisht opinionin e saj përmes llogarisë në Instagram, duke dënuar vazhdimisht zhvillimin e çështjes gjyqësore.

Ajo ka aluduar për persona të ndryshëm, përfshirë Joana Sanz, nusen e djalit të saj. Joana Sanz mbetet mënjanë, ndonëse së fundmi është kthyer në Barcelonë me fëmijët e saj. Ajo filloi procedurat e divorcit nga Dani Alves, pas përfundimit të brazilianit në burg me akuzën e rëndë, por e ndërpreu procesin javën e kaluar.

Lajmi i fundit nga rrethi i tij është se Dinorah Santana, gruaja e parë e ish-futbollistit, tërhoqi mbështetjen e saj dhe deklaroi se ishte manipuluar që kur u takuan.