
Pronat për të cilat ekzistojnë dy ose më shumë regjistrime të mbivendosura mund të vazhdojnë të shiten, nëse brenda 30 ditëve gjykata nuk vendos bllokimin e tyre.
Kjo parashikohet në nenin 40 të projektligjit nr. 1046 për Agjencinë Shtetërore të Pronës, i cili përcakton mënyrën e vendosjes dhe të heqjes së kufizimeve të përkohshme në regjistrin kadastral.
Sipas ligjit, mbivendosja krijohet kur dy ose më shumë tituj pronësie rezultojnë të regjistruar mbi të njëjtën pasuri ose sipërfaqe. Në këto raste, Agjencia Shtetërore e Pronës mund të vendosë ndalimin e përkohshëm të veprimeve kadastrale.
Por,sipas projektligjit të ri që qeveria ka hedhur për konsultim, i parë nga skyweb.al, ky kufizim mund të qëndrojë në fuqi vetëm për 30 ditë kalendarike nga data e lëshimit të urdhrit.
Brenda këtij afati, pala që pretendon pronësinë duhet t’i drejtohet gjykatës dhe të kërkojë vendosjen e masës së sigurimit të padisë. Nëse gjykata e miraton kërkesën, bllokimi i pasurisë vazhdon sipas vendimit gjyqësor.
Por nëse brenda 30 ditëve nuk vendoset një masë sigurimi, kufizimi i vendosur nga Agjencia humbet fuqinë juridike. Dhe këtu kërkohet vigjilencë nga pronari pretendues pasi mungesa e një ankimimi mund të lejojë shitjen.
Në kartelat e të gjitha pronave me disa pretendentë vendoset vetëm një shënim informues, i cili tregon se regjistrimet janë të mbivendosura.
Ky shënim nuk i pengon titullarët të disponojnë pasurinë. Kjo do të thotë se prona mund të shitet ose të kalojë nëpërmjet një veprimi tjetër juridik, edhe pse konflikti mbi pronësinë nuk është zgjidhur ende.
Megjithatë, shitja nuk e fshin problemin. Shënimi për mbivendosjen qëndron në regjistrin kadastral deri në zgjidhjen e konfliktit me marrëveshje civile ose me vendim gjyqësor.
Pra, projektligji heq pengesën kadastrale për kryerjen e transaksionit, por nuk përcakton se cili prej titujve është i vlefshëm. Një blerës i mundshëm mund të përballet me një pasuri që vazhdon të jetë objekt pretendimesh nga persona të tjerë.
Dispozita nuk duhet ngatërruar me rastin kur paraqitet për regjistrim një dokument i ri që krijon mbivendosje. Neni 37 i të njëjtit projektligj parashikon se Agjencia duhet ta refuzojë regjistrimin për pjesën që mbivendoset me një pasuri të regjistruar më parë.
Neni 40 trajton rastet kur mbivendosja ekziston tashmë në regjistrat e pronësisë. Pikërisht për këto prona, pas përfundimit të kufizimit 30-ditor dhe në mungesë të një mase gjyqësore, palët mund të vazhdojnë ta disponojnë pasurinë.
Kjo dispozitë e bën vendimtare periudhën 30-ditore për personin që kundërshton shitjen. Nëse ai nuk arrin të sigurojë në kohë një vendim gjykate, konflikti shënohet në kadastër, por nuk e bllokon më transaksionin.
Projektligji ngre kështu pikëpyetje për mbrojtjen e blerësve, mënyrën se si do të trajtohen këto prona nga noterët dhe bankat, si dhe pasojat e një shitjeje të kryer përpara se gjykata të përcaktojë pronarin e ligjshëm. /skyweb.al
