LAJME / E Martë 28 Korrik 2026, 19:07

Kristian Prenga fton Anthony Joshuan në Shqipëri (Video)

Edhe pse u mposht me knockout nga Anthony Joshua në duelin e 25 korrikut, Kristian Prenga ka treguar se respekti vlen më shumë se çdo rezultat në ring.

Boksieri shqiptar i ka bërë një ftesë të veçantë ish-kampionit të botës, duke i thënë se Shqipëria do të jetë gjithmonë një shtëpi e dytë për të.

Pas fitores, Joshua publikoi në mediat sociale një video me momentet më domethënëse të mbrëmjes, ku përveç aksionit në ring, vendin kryesor e zunë gjestet e respektit mes dy boksierëve.

Një nga momentet më të spikatura ishte ai kur britaniku vendosi mbi supe flamurin shqiptar, ndërsa më pas u fotografua me familjarët e Prengës, të veshur me kostume tradicionale shqiptare.

Krahas pamjeve, Joshua ndau edhe një mesazh: “Gjëja më e madhe që krijon sporti nuk është gjithmonë fituesi, por respekti i ndërsjellë mes personave që kanë fituar respektin e njëri-tjetrit. Kjo është trashëgimia e vërtetë e sportit”, u shpreh ai.

Ish-kampioni i botës shprehu mirënjohje edhe për prindërit e Prengës, duke i falënderuar për mikpritjen dhe mundësinë për t’u përballur me djalin e tyre.

“Dua t’ju falënderoj që më dhatë mundësinë të luftoj me djalin tuaj. Ishte një ndeshje e madhe. Të dy dhamë më të mirën dhe ju vlerësoj juve, ekipin dhe Prengën”, tha Joshua.

Nga ana tjetër, Prenga iu përgjigj me po aq respekt, duke e cilësuar Joshua-n një nga figurat më të mëdha të boksit modern dhe duke e ftuar të vizitojë Shqipërinë.

“Jam krenar që ndava ringun me ty. Të kam thënë se je legjendë, u rrita duke të parë. Të uroj më të mirën ty dhe familjes tënde. Je i mirëseardhur në Shqipëri, e ke një shtëpi të dytë aty”, tha Prenga.

Joshua triumfoi me knockout në raundin e dytë, pasi kishte kaluar një raund të parë të vështirë përballë boksierit shqiptar, do t’iu jemi mirenjohes nese do te na ndihmonit që të mirmbajmë faqen vetëm duke shtypur(mbi foton) që ndodhet më poshtë.Faleminderit për mirkuptimin SHQIPE