
Suleiman Abu al-Waf nuk do e harrojë kurrë krismën që i ndryshoi jetën përgjithmonë. 47-vjeçari një mjek i përgjithshëm në Drejtorinë e Shëndetësisë Jenin, po qëndronte në shtëpi me dy fëmijët e tij më 29 Nëntor, ndërkohë që bombardimet e ushtrisë së Izraelit nuk ndalonin. Në këtë ditë, ata kishin urdhëruar njerëzit që të iknin nga shtëpitë e tyre. Djali 15 vjeçar i Suleiman, Basil, i tha të atit se donte të dilte të luante me shokët. Pas shumë insistimeve, Suleiman pranoi, por duke e këshilluar të mos ikë shumë larg.
Basil po luante me shokët në lagjen al-Basateen, në një zonë që në fakt njihet si më e qetë krahasuar me pjesën tjetër. Papritmas, Suleiman dëgjoi një zhurmë. “Kapa telefonin, Basil nuk më përgjigjej”, thotë ai. “E ndjeva që diçka s’po shkonte”, shton më tej.
Ai vrapoi jashtë shtëpisë dhe pa një djalë tjetër rreth 8 vjeç të lënduar në kokë. Një tjetër djalë vrapoi drejt tij duke i thënë: Xhaxhi, Basil është lënduar! Kur Suleiman shkoi në në vendin ku ishte i biri, atë e kishin rrethuar disa infermierë, të cilët nuk e besuan se vetë ai ishte mjek dhe e larguan prej aty. Ky moment ishte më i tmerrshmi i jetës së tij, djali i tij ndërroi jetë.
Basil dhe Adam, të dy shokë, u qëlluan për vdekje nga ushtarët e Izraelit teksa po luanin. Dy fëmijët janë pjesë e 260 personave që janë qëlluar me armë deri më tani, ndërkohë që numri i të vrarëve me bomba shkon deri në 17 mijë, ku të paktën 7 mijë prej tyre janë fëmijë.
Basil ishte në klasë të 10-të në gjimnazin “Jenin School”. Mamaja e tij, si farmaciste kishte ëndërruar gjithnjë që djali i saj të studionte për mjekësi, megjithatë bashkë me të shoqin theksojnë se nuk e kanë presionuar kurrë për këtë zgjedhje.
Të gjitha këto ëndrra janë kthyer në dhimbje e vajtim për familjen e tyre. Xhaxhai i Basil, Hazem Abu al-Wafa që punon në një laborator mjekësor e përshkruan nipin si një fëmijë të çiltër. “Ai nuk dinte shumë për jetën, vetëm libra dhe të luante me shokët”, thotë Hazem.
Hazem bashkë me vëllanë Suleiman e gjithë pjesën tjetër të familjes takoheshin çdo fundjavë në fshat, atje ku ndodhej shtëpia e tyre e përbashkët.
“Jemi rritur bashkë. Gëzoheshim aq shumë dhe kur njëri nga fëmijët merrte një notë të mirë. Këtë frymë na e ka përcjellë babai ynë, i cili ka qenë mësues. Jemi të gjithë të shkolluar. Edhe Basil ishte nxënës i shkëlqyer”, shprehet më tej Hazem.
Për mediat e huaja ka folur dhe një shok i ngushtë i Basil, 14 vjeçari i quajtur Hassan. Ai thotë se një ditë para se të vdiste ndezën një zjarr jashtë dhe ishin shumë të lumtur.
“Po luanim si çdo ditë, mamaja ime më thirri për të ngrënë drekë. Pastaj dëgjova një krismë”, rrëfen i mituri.
Dy miqtë e tij më të mirë, fatkeqësisht kishin ndërruar jetë…/tvklan.al
