Këtë të hënë, Gjykata e Posaçme ka caktuar masën e sigurisë “arrest në burg” për oficerin e Policisë Gjyqësore, Edison Tabaku, i arrestuar bashkë dy zyrtarë të tjerë nën dyshimet për korrupsion tek Policia Rrugore.
Tabaku doli përpara togave të zeza për vlerësim të kushteve të masës së sigurisë, ku gjyqtarja e GJKKO-së Flojera Davidbhi pranoi kërkesën e prokurores Elida Kaçkini, duke e lënë në burg.
Ai nuk ka pranuar të flasë në seancë, teksa përmes avokatëve ka mohuar akuzat. Burime për mediat bëjnë me dije se gjatë kontrollit në banesën e tij, oficerët e BKH-së kanë sekuestruar rreth 50 milionë lekë (25 milionë lekë të vjetra dhe 26 mijë euro).
Shuma e parave të sekuestruara, u konfirmua edhe nga SPAK, edhe pse nuk u tha se në cilën banesë ishin gjetur.
Ndërkohë, ditën e nesërme, pritet të dalin para GJKKO-së për vlerësimin e kushteve të masës së sigurisë edhe shefi i Policisë Rrugore të Tiranës, Roven Zeka dhe shefi i aksidenteve Sokol Novaku.
Të tre ata u arrestuan tre ditë më parë, nën akuzën për kryerjen e veprës penale “Korrupsion pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, e kryer në bashkëpunim.
Tabaku, Zeka dhe Novaku, dyshohet se kanë marrë ryshfet në lidhje me një aksident të regjistruar më 16 Prill në Tiranë, ku automjeti që drejtohej nga shtetasja Anisa Vrioni, është përplasur me një automjet tjetër ku udhëtonin 5 persona, të cilët kanë mbetur të plagosur dhe janë transportuar në spital.
Rasti u zbulua pasi bashkëshorti i Anisës, Ergest Vrioni, është nën hetim dhe përgjim nga SPAK për korrupsion.
Nga përgjimet ka rezultuar se punonjës të Policisë Rrugore, i kanë kërkuar familjarëve të shoferes Anisa Vrioni, pagesën prej 2 mijë eurosh, për mosarrestimin e saj.
SPAK raportoi se shuma e parave është kërkuar të dorëzohej brenda një kohe të shkurtër dhe është siguruar nga biznemsni Ergest Vrioni, me ndihmën e personave të tjerë dhe i është dorëzuar njërit prej efektivëve të Rrugores.
“Në datën 16 prill 2025, në qytetin e Tiranës ka ndodhur një aksident rrugor, ku dy automjete janë përplasur me njëri tjetrin. Si pasojë e aksidentit, pesë personat që udhëtonin në njërin nga automjetet janë dërguar në spital për të marrë ndihmë mjekësore. Ndërsa në automjetin tjetër ndodhej vetëm drejtuesja A.V, bashkëshortja e shtetasit E.V, i dyshuar për kryerjen e veprës penale të “Korrupsionit aktiv të personave që ushtrojnë funksione publike”, (parashikuar nga neni 244 i Kodit Penal.)
Pas të dhënave dhe informacionit të siguruar nga oficerët e Byrosë Kombëtare të Hetimit (BKH), ka rezultuar se punonjës të policisë rrugore i kanë kërkuar familjarëve të drejtueses së automjetit, shtetases A.V, pagesën prej 2 mijë eurosh, për mosarrestimin e saj. Shuma e parave është kërkuar të dorëzohej brenda një kohe të shkurtër dhe është siguruar nga personi nën hetim E.V, me ndihmën e personave të tjerë. Këtë shumë ai ia kanë dorëzuar njërit prej punonjësve të policisë rrugore – fakt i provuar gjatë hetimit”, – njoftoi Prokurorisë së Posaçme.