LAJME / E Diel 27 Shtator 2026, 17:05

Konferenca e pazakontë/ Kryeministri Rama flet për herë të parë për Vlora Hysenin

Kryeministri Edi Rama ka reaguar për zhvillimet e fundit që lidhen me arrestimin e ish-drejtueses së Shërbimit Informativ të Shtetit, duke e cilësuar masën e marrë ndaj saj si “ekstreme”, por duke theksuar se nuk i takon atij të vlerësojë vendimmarrjen e organeve të drejtësisë.

Në një konferencë për mediat, Rama deklaroi se çdo akuzë duhet të hetohet deri në fund dhe nënvizoi se nuk ka ndërhyrë dhe nuk do të ndërhyjë në çështjet që i përkasin drejtësisë.

“Vendosa që të drejtohem në këtë konferencë, sepse zhvillimet e fundit të arrestit të ish-drejtueses së SHISH do duhet të kishin një shpjegim. Ishte një masë ekstreme, por nuk kam të drejtë të vlerësoj se pse Prokuroria ka kërkuar arrestin. Nuk e kam bërë dhe nuk do e bëj, që të ndërhyj në çështjet e drejtësisë. Çdo akuzë duhet që të çohet deri në fund”, deklaroi Rama.

Kreu i qeverisë argumentoi megjithatë se respektimi i pavarësisë së institucioneve të drejtësisë nuk duhet të nënkuptojë heshtje për pasojat që një hetim mund të ketë mbi institucionet shtetërore.

Sipas tij, përtej përgjegjësisë penale individuale që po hetohet, në këtë rast ekziston edhe një çështje që prek funksionimin dhe sigurinë e shtetit.

“Respekti për pavarësinë e drejtësisë nuk do të thotë heshtje. Konkretisht në këtë rast, përveç dhe përtej çështjes penale individuale, ka dhe një parim shtetëror që nuk mund të anashkalohet sikur nuk ka ndodhur”, tha kryeministri.

Rama ngriti shqetësimin se gjatë procesit është ekspozuar një institucion i një natyre të veçantë, duke iu referuar SHISH-it. Sipas tij, një situatë e tillë mund dhe duhej të ishte shmangur.

Kryeministri shtoi se kur një hetim shtrihet deri në nivelet drejtuese të një institucioni të inteligjencës, çështja nuk prek vetëm institucionin në fjalë, por shtetin në tërësi.

Ai deklaroi gjithashtu se zhvillimet kanë shkaktuar reagim edhe te partnerët ndërkombëtarë të Shqipërisë, duke thënë se situata “i ka lënë pa fjalë partnerët tanë”.