LAJME / E Diel 27 Shtator 2026, 11:11

E vrava pa dashje pas një sherri

Sipas deklarimeve të tij, gjithçka ndodhi pas një konflikti për para, gjatë një periudhe prej disa ditësh kur në apartament po konsumohej alkool dhe lëndë narkotike. Avokati i 26-vjeçarit tha se klienti i tij është “i hutuar” dhe se, sipas tij, “nuk mund t’i ketë bërë të gjitha i vetëm”.

Hetuesit dyshojnë se vrasja ka ndodhur gjatë një feste ku ishin konsumuar lloje të ndryshme drogash. Avokati përmendi MDPHP, crack, LSD, kërpudha halucinogjene dhe kanabis, krahas pijeve të forta alkoolike.

Sipas versionit të të dyshuarit, të nesërmen ai u zgjua dhe i thanë se Colapietro mund t’i kishte vjedhur rreth 50 euro. Pas kësaj nisi një sherr fizik, ku, sipas avokatit, të pranishmit u përleshën dhe 39-vjeçari ra përtokë dhe vdiq.

“E vrava, por pa dashje. Sigurisht që nuk ishte e planifikuar”, ka thënë 26-vjeçari para gjyqtarit.

Kur u pyet nëse e kishte kapur viktimën nga qafa, ai tha se nuk e kujtonte. Sipas avokatit, pas incidentit janë tentuar për rreth dy orë reanimimi me frymëmarrje gojë më gojë dhe masazh kardiak.

Në kuadër të hetimit janë marrë në pyetje edhe Nicole Formichetti, 47 vjeçe, mësuese që kishte marrë me qira apartamentin, dhe Keith Butig, 22 vjeçe, të dyshuara për favorizim dhe përfshirje në fshehjen e trupit.

Formichetti nuk iu përgjigj pyetjeve të gjyqtarit, ndërsa avokatët e saj thanë se nuk ishte në gjendje ta bënte këtë dhe se mund të merret në pyetje në një moment tjetër.

Butig, një grua transgjinore, mohoi të ketë marrë pjesë në vrasje. Avokati i saj tha se ajo ishte e pranishme gjatë festës dhe kishte blerë qeset e zeza, por nuk kishte marrë pjesë në fazat e mëvonshme. Sipas mbrojtjes, ajo ishte në gjendje të rënduar dhe ishte mbyllur në një dhomë.

Tani pritet vendimi i gjyqtarit për konfirmimin e ndalimeve, ndërsa hetimet vijojnë për të sqaruar plotësisht rrethanat e vrasjes dhe rolin e secilit prej personave të përfshirë.