LAJME / E Premte 9 Maj 2025, 15:03

Kallëzohet kryeplaku, nuk lejoi gruan egjiptiane të varrosej në varrezat e fshatit

Refuzimi i varrosjes së një 63-vjeçareje të komunitetit egjiptian në fshatin Katjel të Përrenjasit ka ngjallur reagime të forta.

Kryeplaku i fshatit është kallëzuar penalisht në Prokurori pasi e ndjera Sofie Doda, e cila jetonte prej dekadash në këtë fshat u ndalua nga kryeplaku dhe pleqësia e Katjelit të prehej në varrezat publike të zonës.

Pretendimi i ngritur nga kryeplaku Enver Muça se familja Doda nuk është autoktone dhe për këtë arsye nuk ka të drejtë të varroset në tokën publike të fshatit është cilësuar si diskriminues dhe në kundërshtim me të drejtat themelore të njeriut.

”Padyshim që është ngjarje e rëndë dhe si e tillë padyshim që duhet të ketë precedentë. Ndaj ne jemi sot pranë prokurorisë së Elbasanit për të dorëzuar një kallëzim penal ndaj kryeplakut i cili nuk lejoji që e ndjera e komunitetit egjiptian të varroset në varrezat e fshatit. Sipas logjikës dhe arsyetimit tonë kemi të bëjmë me një vepër penale: Behet fjalë për veprime që cenojnë nderime dhe respektin e te vdekurit neni 118 i Kodit Penal; Dhe ngritja për shkaqe raciale, sepse e shohim që veprimet e tij janë të motivuar për shkak të përkatësisë etnike”, tha avokati Gentian Seirani.

Pas dy ditësh përpjekjesh dhe reagimesh të forta nga komuniteti egjiptian, trupi i të ndjerës u varros në varrezat publike të qytetit të Përrenjasit, larg vendit ku ajo kishte kaluar pjesën më të madhe të jetës. Ngjarja ka sjellë në vëmendje nevojën për të adresuar trajtimin e pakicave në zonat rurale dhe respektimin e të drejtave bazë për çdo qytetar, pavarësisht prejardhjes etnike apo statusit shoqëror. Organizatat e shoqërisë civile kanë paralajmëruar se do të ndjekin çështjen me vëmendje dhe do të kërkojnë marrjen e përgjegjësive nga autoritetet përkatëse për të parandaluar përsëritjen e rasteve të tilla diskriminuese.