LAJME / E Enjte 17 Shtator 2026, 11:11

"Jam shumë i zhgënjyer me BE-në", Walker ngre pyetjen: Pse Vuçiç nuk u thirr në Hagë?

Ish-shefi i Misionit Verifikues të OSBE-së në Kosovë, William Walker, ka reaguar ashpër pas vendimit të Dhomave të Specializuara në Hagë për Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Jakup Krasniqin dhe Rexhep Selimin, duke e konsideruar atë një moment të keq jo vetëm për Kosovën, por edhe për Ballkanin dhe Europën.

Walker kritikoi mënyrën se si është zhvilluar procesi gjyqësor, duke e cilësuar atë një “keqmenaxhim të drejtësisë”.

“Një trishtim i plotë, është një moment i keq për Kosovën, të gjithë Ballkanin dhe Europën në përgjithësi. Procesi që nga fillimi ka qenë keqmenaxhim i drejtësisë”, deklaroi ai për "A2 CNN".

Walker kritikoi gjithashtu kohëzgjatjen e procesit dhe paraburgimin e ish-krerëve të UÇK-së, duke pretenduar se ata janë trajtuar gjatë kësaj periudhe sikur të ishin shpallur tashmë fajtorë.

“Në 6 vite ata janë mbajtur në paraburgim sikur të ishin të fajshëm”, u shpreh Walker.

Ish-diplomati amerikan drejtoi kritika të forta edhe ndaj Bashkimit Europian. Sipas tij, në trajtimin e luftës në Kosovë është tentuar të vendoset një shenjë barazimi mes palëve, një qasje që ai e kundërshtoi.

“Jam shumë i mërzitur me BE që për arsyet e veta politike ka dashur të vërë shenjën e barazimit për ato gjëra të tmerrshme që janë bërë nga qeveria e Serbisë, përfshirë edhe Vuçiç”, tha Walker.


Ai ngriti gjithashtu pyetjen se përse presidenti serb Aleksandar Vuçiç nuk është thirrur për të dëshmuar në Hagë.

“Pse nuk është marrë ai nga Zyra e Prokurorisë Speciale, ose të thirret në Hagë për të dëshmuar? Nuk e di pse BE ka bërë bashkë një trupë gjykues për të akuzuar shqiptarët”, deklaroi ish-shefi i Misionit Verifikues të OSBE-së në Kosovë.

Walker komentoi edhe mënyrën se si është interpretuar struktura e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës gjatë procesit. Ai kundërshtoi idenë se UÇK-ja funksiononte si një ushtri e centralizuar me një zinxhir të vetëm komandues.

“Unë e njoh UÇK-në, gjykata vazhdoi punimin se ajo ishte ushtri kombëtare dhe kishte zinxhir komandues dhe kjo është e gabuar”, u shpreh Walker.

Sipas William, gjatë kontakteve që kishte pasur në Kosovë, ishte përballur kryesisht me komandantë të zonave të ndryshme.

“Sa herë jam ndeshur me UÇK-në, kam pasur të bëj me komandantë të rajoneve, ky është një keqgjykim nga drejtësia”, përfundoi Walker.