LAJME / E Shtunë 10 Maj 2025, 13:01

“Jam shtetas britanik, të vijnë përfaqësues të ambasadës angleze”- Vrau fqinjin 34-vjeçar, Ylber Jaku: S’kam besim te drejtësia! Pashë se si u rropatën prindërit e mi 20 vite

Ylber Jaku, autori i dyshuar i vrasjes së 34-vjeçarit Reshit Sallahu më 7 Maj në fshatin Pla të Hasit, ka heshtur para oficerëve të policisë dhe gjykatës.

Avokatja e caktuar nga shteti për 41 vjeçarin ka treguar se Ylber Jaku, i cili u paraqit sot në Gjykatë ku iu caktua masa “arrest me burg”, është shprehur se kërkon përfaqësues të ambasadës angleze.

Ylber Jaku ka deklaruar se është shtetas britanik, ndërsa është i martuar me një grua angleze, si edhe ka dy vajza.

“Gjykata vendosi arrest me burg sepse kemi të bëjmë me veprën penale të vrasjes. Në pretendimet e fundit i pyetur nga gykata, Ylber Jaku u shpreh se nuk ka asnjë pretendim.

Nuk kërkonte as avokat dhe nuk foli në lidhje me rastin sepse thotë “unë kam parë se si janë rropatur prindërit e mi 20 vite, nuk kam besim dhe nuk flas tek kjo drejtësi”. Kërkon përfaqësues nga ambasada angleze në vijimësi të procesit të tij. Ai është shtetas angleze dhe gruan angleze si edhe dy vajza.

Ylber Jaku nuk ka dhënë asnjë dëshmi as para oficerit të policisë gjyësore dhe as para gjyktës, shprehet vetëm që s’kam besim tek kjo drejtësi si shtetas anglez, të jetë përfaqësues i ambasadës angleze që ti shpjegoj rastin se çfarë ka ndodhur me rastine prindërve të tij dhe neglizhenca e institucioneve, pushtetit lokal dhe policisë, ka bërë atë që unë sot përfundova këtu”, tha avokatja e tij.

Krimi i rëndë është shënuar pasditen e 7 Majit, ku Ylber Jaku, 41 vjeç, i ka marrë jetën fqinjit të tij, Reshit Sallahu, 34 vjeç, në afërsi të shtëpisë së tij.

Prita fatale që iu zu 34-vjeçarit erdhi nga një konflikt i përshkallëzuar prej të paktën 20 vjetësh, për të cilin janë në dijeni të gjitha institucionet dhe askush nuk ka ndërhyrë ta zgjidhë dhe as ta shuajë.

Mirëpo agravimi i ashpër ndodhi dy ditë më parë, kur motra e viktimës sulmon më sëpatë prindërit e autorit, duke i plagosur rëndë. Pas ngjarjes, djali i çiftit ka mbërritur në fshatin Pla duke e pritur Reshit Sallahun të kthehet në banesë.

Me një pushkë, që nuk dihet se ku e ka gjetur, ai ka qëlluar mbi të 8 herë duke i marrë jetën në vend. Autori Ylber Jaku i ka pritur policinë në shtëpinë e tij bashkë me armën e krimit, ndërkohë që para se sa të mbërrinte në shtëpinë e tij, ai ka vizituar të atin e të ëmën në spitalin Ushtarak.

Kur ka parë gjendjen e rënduar të tyre, ai është nisur për në Has duke kryer edhe krimin e rëndë. Po ashtu mësohet se konflikti mes dy familjeve fqinje është denoncuar me dhjetëra herë dhe askush nuk ka reaguar për të ardhur në ngjarjen e rëndë të dy ditëve të njëpasnjëshme, me një të vrarë, dy të plagosur dhe dy persona të arrestuar.