
Përfundon në tragjedi kërkimi për një shqiptar që ishte zhdukur në zonën e Ascolit në Itali. Bëhet fjalë për Lorenc Ferrajn, 47 vjeç, me profesion transportues, që kishte humbur gjurmët që prej të dielës së kaluar.
Ai kishte ikur nga shtëpia pas një debati me gruan.
Kjo e fundit ngriti alarmin tek autoritetet për zhdukjen e të shoqit. Policia, bashkë me miq e të afërm të Ferrajt, nisën punën për ta gjetur atë.
Kërkimet vazhduan për ditë të tëra, nga toka, ajri dhe uji. Më së shumti u përqendruan në komunën e Montegallo-s. Celulari i shqiptarit ishte gjatë gjithë kohës aktiv.
Prandaj shpresat për ta gjetur gjallë ishin të mëdha, por mëngjesin e së enjtes çdo gjë u shua.
Fillimisht autoritetet pikasën furgonin e shqiptarit. Jo shumë larg nga mjeti u gjet edhe trupi i pajetë i 47-vjeçarit.
Pritet që të kryhet autopsia për të zbuluar shkakun e vërtetë të vdekjes së Ferrajt./tvklan.al
