LAJME / E Diel 18 Maj 2025, 21:09

Hije manipulimi për votat e publikut ndaj Izraelit në Eurovision, kërkohet audit nga Spanja

Izraeli mori vetëm 60 vota nga juritë e shteteve, por ndërkohë kapi vendin e dytë në Eurovision 2025 me 357 pikë në total, duke marrë një rekord prej 297 pikësh nga publiku, duke ngritur hije tek shumë shtete.

Kjo ka bërë që dhe tensionet midis RTVE (Transmetimi Publik i Spanjës) dhe Unionit Evropian të Transmetimeve (EBU) të vazhdojnë të përshkallëzohen.

Sipas burimeve të mediave të huaja pranë organizatës, transmetuesi publik i Spanjës ka vendosur të kërkojë një audit nga organizata përgjegjëse për televotimin në Eurovision.

Qëllimi i auditimit është të verifikojë rezultatet e televotimit spanjoll, pasi pretendojnë se publiku i tyre nuk e ka mbështetur këngën e Izraelit.

RTVE mori 142,688 vota në finalen e Eurovision të shtunën në mbrëmje, sipas raportit të kërkuar nga EBU, të dhëna të marra këtë të diel. Raporti fillestar i marrë nga Spanja ishte një listë e vendeve për të cilat dha më shumë vota, por nuk specifikonte numrin e votave për secilin.