LAJME / E Hënë 21 Prill 2025, 22:10

“Grupi i Brilant Martinaj dhunoi Roan Brahimin”/ Gazetari zbulon si nisi përplasja mes grupeve kriminale

Më 17 prill, në Lezhë u ekzekutua në një atentat mafioz Gjovalin Prendi, babai i Roan Brahimit alias Sidorel Prendi. Një orë pas atentatit që tronditi Lezhën, katër të rinj u plagosën në Lundër. Mes të plagosurve janë edhe dy vëllezër të mitur.

Policia ka dyshime se katër personat janë plagosur gabimisht, pasi dyshohet se shënjestër ishte gruaja e Roan Brahimit.

Ky i fundit u ekzekutua në një atentat mafioz mbrëmjen e 9 majit 2024 në Athinë në sy të gruas dhe djalit të tij. Roan Brahimi njihej edhe si armiku i përbetuar i Ervis Martinaj, fati i të cilit është mister prej gushtit të vitit 2022.

Gazetari Esido Barkaj, ka shpjeguar se si ka nisur hasmëria mes dy grupeve rivale. Roan Brahimi, i kishte një shumë parash borxh kushëririt të Ervis Martinajt, Brilant Martinaj (i ekzekutuar më 17 korrik 2022). Grupi i Brilantit më pas e ka kapur dhe dhunuar Roan Brahimin, ndërsa ky i fundit mesa duket nuk ia fali.

Esido Barkaj: Në Lezhë mbeti i vrarë babi i Roan Brahimit. Roan Brahimi ishte një eksponent i lidhur me botën e krimit, shpesh ka sjellë edhe përplasje mes grupeve të ashpra të zonës. Bandat kriminale që operonin në zonën e Lezhës, Laçit ishin banda të frikshme. Ka pasur përplasje të ashpra me grupin kriminal të Ervis Martinaj. Zanafilla nis para disa vitesh. Dyshohet se Roan Brahimi kishte një shumë borxh ngaj Brilant Martinaj. Ai u kap nga grupi i Brilantitt, u dhunua dhe poshtërua nga disa veprime të pahijshme. Kjo mesa duket nuk është pranuar nga Roan Brahimi.

Në lidhje me atentatin e trefishtë në Fushë Krujë ku mbeti i vrarë edhe Brilant Martinaj dyshohet se fshihej Roan Brahimi për shkak të përplasjeve të ashpra që kanë pasur. Vijon më pas saga kriminale. Është vrasja e Gentjan Bejtjas në Larushk të Fushë Krujës. Bejtja dyshohet se ishte pjesë e grupit të Martinajt dhe dyshohet se pas ekzekutimit të tij fshihet Roan Brahimi. Sa i takon atentatit në Tiranë, për policinë një pistë e fortë mbetet ajo e ngatërimit të shënjestrës. Në zonën e Lundrës jeton edhe e veja e Roan Brahimit. Të katër personat e plagosur nuk kanë të shkuar kriminale dhe nuk kanë pasur probleme të tjera. Megjithatë nuk përjashtohen pistat e tjera.

Roan Brahimi njihet si armiku i përbetuar i Ervis Martinjat? A është gjallë Ervis Martinaj?

Esido Barkaj: Është e vështirë të thuhet në momentin që nuk ka një njoftim zyrtar nga policia. Një ultimatum që u vendos nga Rama për Rrumbullakun ishte që të zbardhej e vërteta për Martinajn brenda 100 ditësh. Nuk morëm asnjëherë një përgjigje. Unë dyshoj se policia e ka një indicie për fatin e Martinaj nëse ai është gjallë apo i vdekur. Kjo nuk mund të diskutohet publikisht nga unë apo kolegët e mi në momentin që nuk kemi një version zyrtar. Është një mister, i cili nuk mendoj se do zgjasë shumë. Mund të kemi një pergjigje në lidhje me fatin e tij shumë shpejt.