
8 persona janë shoqëruar nga blutë në Lezhë pasi tentuan të vidhnin në banesën e një të moshuari.
Edhe pse më herët u raportua se 79-vjeçari ishte dhunuar nga autorët, policia thotë se një gjë e tillë nuk ka ndodhur, madje këta të fundit janë larguar pa grabitur asgjë. Nga ana tjetër, i moshuari ka qëlluar me çifte në ajër për të njoftuar komshinjtë.
“Policia shoqëron 8 persona në lidhje me tentativën për të vjedhur në banesën e një 79-vjeçari në Torovicë. Shtetasi N.B, 79 vjeç, banues në Torovicë, ka njoftuar se dy persona ende të paidentifikuar, kishin hyrë në banesën e tij në Torovicë për të vjedhur. Autorët e dyshuar, sapo kanë konstatuar pronarin e banesës shtetasin N. B., janë larguar menjëherë nga banesa, pa marrë asnjë send a vlerë monetare dhe nuk kanë ushtruar dhunë fizike ndaj 79-vjeçarit.
79-vjeçari, pas largimit të autorëve nga banesa e tij, ka qëlluar me armë gjahu çifte në ajër për të njoftuar komshinjtë. Grupi hetimor vijon veprimet hetimore dhe procedurale, duke administruar çdo provë e dëshmi si dhe janë shoqëruar 8 persona deri më tani, me qëllim zbardhjen e ngjarjes dhe vënien përpara përgjegjësisë ligjore të autorëve”, thotë policia./tvklan.al
