Dhjetëra persona janë arrestuar në Los Angeles pas disa ditësh protesta të dhunshme që shpërthyen pas kontrolleve nga autoritetet ndaj emigrantëve.
Presidenti amerikan, Donald Trump, dislokoi 2 mijë trupa të Gardës Kombëtare në qytet, duke shkaktuar edhe një përplasje politike. Ai dënoi ato që i përshkroi si “turma të dhunshme dhe rebele”.
Në qytetin e dytë më të madh të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, dhjetëra makinave iu vu flaka, ndërsa ka pasur raportime edhe për grabitje në disa zona.
Pse po protestojnë njerëzit në Los Angeles?
Protestat nisën të premten pas kontrolleve të Agjencisë për Emigracionin dhe Doganave (ICE) në një zonë të qytetit të dominuar kryesisht nga popullsi latine. Kontrollet janë shtuar pas premtimit të Donald Trump për të goditur emigracionin e paligjshëm.
CBS News raportoi se aksionet e fundit të Agjencisë për Emigracionin dhe Doganat u zhvilluan në lagjen e Westlake si dhe në Paramount në jug të Los Angeles, ku popullsia është 82% hispanike.
ICE i tha CBS News se 44 emigrantë të paautorizuar u arrestuan në një operacion të vetëm në një vend pune të premten. 77 të tjerë u arrestuan në zonën e Los Angeles të njëjtën ditë.
Ku janë zhvilluar protestat dhe çfarë ka ndodhur?
Protestat janë zhvilluar më së shumti në qendër të Los Angeles-it. Ato janë deklaruar si zona të “tubimeve të paligjshme” nga policia pas përplasjeve të dhunshme.
Të dielën disa makinave iu vu flaka. Policia akuzoi protestuesit se përdorën mjete ndezëse kundër patrullave me kuaj.
Ndërkohë oficerët me veshje të posaçme për tubimet kanë përdorur granada shurdhuese dhe spraj lotsjellës për të shpërndarë turmat.
Trazirat shkaktuan ndalimin përkohësisht të qarkullimit në autostradën 101, një nga më të mëdhatë në SHBA. Po ashtu, raportohet për grabitje.
Ndërtesa Federale në qendër të qytetit u bë epiqendra e protestave pasi u mësua se të arrestuarit nga ICE-ja mbaheshin aty. Të shtunën, agjencia akuzoi mbi 1 mijë protestues se rrethuan dhe sulmuan ndërtesën.
Një dyqan për pajisje shtëpie në Paramount, 32 kilometra nga qendra e Los Angeles-it u bë qendër kyçe e protestave. Atje u përdorën granada shurdhuese dhe gaz lotsjellës ndaj protestuesve të shtunën. Ndërsa të dielën atje qëndruan forcat e armatosura të Gardës Kombëtare në ruajtje të një parku biznesesh.
Policia e Los Angeles-it bëri me dije se të shtunën kishte bërë 29 arrestime. Të dielën vunë në pranga edhe 27 persona të tjerë.
Ndarazi, rreth 60 persona u arrestuan dhe tre oficerë policie u lënduan pas trazirave edhe në San Francisco. Në zonat e tjera të Los Angeles-it, jeta vazhdon normalisht. Disa zona madje ishin të mbyllura për paradën e Krenarisë së Los Angeles-it.
Çfarë është Garda Kombëtare dhe pse e dislokoi Trump?
Të shtunën, Trump dislokoi 2 mijë trupa të Gardës Kombëtare në zonën e Los Angeles, duke nisur një përplasje politike me politikanët e shtetit të Kalifornisë.
Garda Kombëtare vepron si një entitet hibrid që i shërben si shtetit, pra Kalifornisë në rastin konkret dhe interesave federale. Tradicionalisht, forcat e Gardës Kombëtare të një shteti aktivizohen me kërkesë të guvernatorit.
Për situatën aktuale, Donald Trump e shmangu këtë hap, duke përdorur një nen të veçantë të Kodit amerikan të Shërbimeve të Armatosura. Sipas këtij neni ka tre rrethana të veçantë në të cilat presidenti mund të federalizojë Gardën Kombëtare.
Pra nëse SHBA-të “pushtohen ose janë në rrezik të një pushtimi nga një komb i huaj”; “ka një rebelim ose rrezik për rebelim”; ose nëse “presidenti është i paaftë që të ekzekutojë ligjet e Shteteve të Bashkuara nëpërmjet forcave të zakonshme”.
Në memorandumin ku kërkoi përfshirjen e Gardës Kombëtare, Trump tha se protestat në Los Angeles “përbëjnë një formë rebelimi kundër autoritetit të qeverisë së Shteteve të Bashkuara”.
Lëvizja e Trump u dënua nga Guvernatori i Kalifornisë, Gavin Neësom dhe kryebashkiakja e Los Angeles, Karen Bass. Ata thanë se policia lokale mund ta përballojë situatën.
Newsom e akuzoi Trump për veprime të paligjshme dhe se po i “hidhte benzinë zjarrit”. Po ashtu ka paralajmëruar padi.
Sipas ekspertëve, kjo është hera e parë që nga viti i largët 1965 që Garda Kombëtare aktivizohet pa kërkesën e një guvernatori. Në vitin 1992, Garda Kombëtare u federalizua në Los Angeles pas protestave si pasojë e lirimit nga akuzat të policëve që dhunuan motoristin me ngjyrë, Rodney King.
Cilat agjenci të tjera janë të përfshira?
Roli i Gardës Kombëtare është për të mbrojtur agjentët federalë, duke përfshirë Agjencinë për Emigrantët e Doganat si dhe personelin e Departamentit për Sigurinë Kombëtare ndërkohë që ata kryejnë detyrën e tyre.
Trupat ushtarake nuk do të kryejnë aksione kontrolli mbi emigrantët apo të performojnë punë e policisë. Kjo sërish i mbetet Policisë së Los Angeles-it si detyrë.
Ligji në mënyrë të përgjithshme e ndalon përdorimin e trupave federale si forca të zbatimit të ligjit civil. Por janë disa përjashtime, siç është Akti për Kryengritjen.
Megjithëse Trump ka kërcënuar në të kaluarën se do të aktivizojë këtë ligj, për shembull gjatë protestave ‘Black Lives Matter’ në vitin 2020, ai nuk e ka bërë një gjë të tillë në këtë rast.
Aleatët e presidentit amerikan e kanë mbështetur vendimin etij për të mobilizuar Gardën Kombëtare. Sekretari i Mbrojtjes, Pete Hegseth, tha se marinsat në detyrë të SHBA-ve që janë stacionuar pranë Kampit Pendleton do të dërgohen në rast të një “rreziku të lartë”.
Çfarë po bën ICE-ja në Los Angeles?
Kontrollet e fundit janë pjesë e përpjekjeve të presidentit amerikan që të realizojë “operacionin më të madh të dëbimeve” në historinë amerikane.
Los Angeles, ku një e treta e popullsisë ka lindur jashtë territorit të SHBA-vë, është kthyer shënjestër kyçe për operacionet e Agjencisë për Emigracionin dhe Doganat.
Në fillim të Majit, ICE njoftoi se kishte arrestuar 239 emigrantë pa dokumente gjatë një operacioni njëjavor në zonën e Los Angeles. Gjithsesi, arrestimet dhe deportimet mbeten poshtë pritshmërive të Trump.
Për këtë arsye, gjatë këtij muaji Shtëpia e Bardhë rriti objektivin për zyrtarët e ICE-së, që të bëjnë 3 mijë arrestime në ditë. Autoritetet kanë zgjeruar kërkimet e tyre duke përfshirë edhe vendet e punës, si për shembull në restorante ose dyqane.
Si pjesë e fushatës së deportimit, disa emigrantë u zhvendosën në mega-burgun e El Salvadorit, duke përfshirë edhe të paktën një person që qëndronte në SHBA ligjërisht. Shumica e veprimeve të Trump janë duke u përballur në rrugën ligjore./tvklan.al do t’iu jemi mirenjohes nese do te na ndihmonit që të mirmbajmë faqen vetëm duke shtypur(mbi foton) që ndodhet më poshtë.Faleminderit për mirkuptimin SHQIPE