Dy atentatet që ndodhen mbrëmjen e së enjtes në Lezhë dhe Tiranë ende nuk kanë autorë dhe as të dyshuar të vënë në pranga.
Nëse në Lezhë, policia ka arritur të realizojë një mori kontrollesh nëpër zona dhe shtëpi nga ku pritej të gjendej ndonjë gjurmë të dyshuarish, në Tiranë grupi hetimor, të vetmen punë konkrete që ka bërë publike, ka gjetjen e motorit të autorëve, të djegur mes Tiranës dhe Elbasanit. Edhe motori u gjend 48 orë pas atentatit dhe ende nuk është e sigurt nëse është mjeti që u përdor në pritën ndaj shoferit të familjes Demiri.
Policia e Tiranës nuk ka asnjë të dhënë në lidhje me objektivin e sulmit brutal mbi makinën “G-Clas” brenda të cilit gjendeshin tre fëmijë, ndërkohë që vijohet të kërkohet se kë kanë qenë duke pritur vrasësit në rrethin e Shkozës orëve të vona të së enjtes, ndërkohë që vrasësit e Gjovalin Prendit në Pllanë të Lezhës kishin ikur në drejtim të paditur për policinë lokale. Ndërsa grupi hetimor i ngritur për të hetuar atentatin ndaj katër personave në Tiranë po numëron ende “G-Clas”-ët që kaluan natën e sulmit në Unazën e Madhe, policia e Lezhës ka hapur dosjet e mbuluara nga pluhuri prej më shumë se 11 vjetësh për të gjurmuar hasmit e familjes Prendi, që në fakt nuk janë të paktë.
Historia e sulmeve mbi këtë familje daton shumë vite më parë, ndërsa për asnjë prej krimeve zinxhir që kanë nisur një natë të vonë shkurti të 2014-s nuk ka një person të arrestuar, madje as të hetuar. Pas sulmeve të njëpasnjëshme që janë bërë mbi familjen Prendi në Pllanë të Lezhës, ku brenda më pak se një viti u vranë edhe babë e bir, dyshohet se janë aktivitetet e Sidorel Prendit, djalit që u ekzekutua vjet në Athinë në sy të gruas dhe djalit të tij.
Ishte nata e 19 shkurtit të vitit 2014 kur një makinë, brenda së cilës udhëtonin tre të rinj ra në një pritë të habitshme. Vendi i ngjarjes ishte Ura e Vjetër e Milotit. Të rinjtë kishin kaluar urën dhe sapo merrnin rrugën për në Pllanë, dy persona, njëri me kallashnikov dhe tjetri me pistoletë dalin nga poshtë urës dhe i sulmojnë. Për pasojë dy prej tyre humbin jetën, ndërsa shpëton djali që ishte në sediljen e pasme.
Dy prej djemve që u gjenden në makinë, ku njëri humbi jetën dhe tjetri përfundoi në spital me plagë të rënda ishin nipat e Gjovalin Prendit, 64-vjeçarit që u ekzekutuar mbrëmjen e së enjtes po në Pllanë. Aso kohe, policia, si gjithnjë doli me versionin se ekzistonte mundësia që shënjestra të jetë ngatërruar, pasi djali që drejtonte makinën dhe që u vra, ia kishte blerë makinën 2 muaj më parë një eksponenti të botës së krimit, ndaj edhe ishin sulmuar.
Më pas u tha edhe për një sherr që kishte ndodhur në një karburant në Rubik, por jo vetëm që nuk u arrestua asnjë person, por madje as nuk u fol më për atë atentat me dy të vrarë e një të plagosur. Vite më vonë, në skenë del djali i Gjovalinit, Sidoreli, i cili ndërroi emrin në Roan Brahimi dhe policia, ndonëse jo zyrtarisht e lidh emrin e tij me një sërë ngjarjesh të rënda, madje edhe me masakra që kanë tronditur vendin. Në vitin 2020, i njëjti lokal ku u vra të enjten Gjovalin Prendi u sulmua me armë, por lokali ishte i mbyllur dhe nuk pati dëme në njerëz.
Sërish policia dhe prokuroria nuk ndaluan asnjë person, madje dosja u arkivua. Emri i Sidorel Prendit u përgojua si pjesëtar i disa grupeve kriminale, ku së fundmi ai u kërkua të pyetej edhe për masakrën e urës së FushëKrujës, ashtu siç u dyshua për një sërë aktesh të tjera, madje shumë të rënda.
Por Sidoreli nuk u prangos asnjëherë. Ai u largua nga Shqipëria dy vitet e fundit dhe vjet në vigjilje të Pashkëve shkoi në Greqi të kalonte festën me gruan dhe djalin e vogël, por vrasësit e priten dhe e ekzekutuan në makinë. Sërish policia dhe prokuroria jonë nuk ndërmorën asnjë hetim, pasi vendi i ngjarjes ishte në Greqi!/Gazeta Panorama