
Një 25-vjeçare nga Utah, SHBA, është arrestuar nën dyshimin se i ka vënë zjarr një kishe të Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme (LDS), vetëm një ditë para ceremonisë së saj të martesës.
Sipas dokumenteve gjyqësore dhe raportimeve të mediave lokale, policia në Kaysville është njoftuar për një zjarr në kishën e vendosur në West Center Street rreth orës 22:07 të 10 korrikut.
Në momentin e incidentit, familjarë të çiftit ndodheshin në objekt dhe po përgatitnin ambientet për ceremoninë e martesës së 25-vjeçares Lenita Joy Moreno dhe të fejuarit të saj. Pak para se të largoheshin, alarmi i zjarrit u aktivizua.
Familjarët kontrolluan ndërtesën dhe konstatuan flakët në një prej sallave. Ata arritën ta shuajnë zjarrin me ujë dhe një fikëse zjarri, para mbërritjes së ekipeve të zjarrfikësve.
Nga hetimet paraprake dyshohet se zjarri kishte nisur poshtë një karrigeje. Në vendngjarje u gjetën disa sende të pazakonta, përfshirë edhe një tampon, i cili sipas hetuesve mund të jetë përdorur për të ndihmuar në ndezjen e zjarrit.
Sipas autoriteteve, i fejuari i Moreno ka deklaruar se ai dhe 25-vjeçarja kishin qenë në të njëjtën dhomë vetëm pak çaste para se të zbulohej zjarri.
Hetimi çoi gjithashtu te një vizitë e çiftit në një dyqan Ace Hardware gjatë së njëjtës ditë. Sipas policisë, kamerat e sigurisë dyshohet se kanë regjistruar Moreno duke marrë dy ose tre çakmakë pa i paguar. Ajo më vonë ka pranuar se kishte marrë diçka nga dyqani, por nuk ka treguar se çfarë.
Autoritetet dyshojnë se çakmakët mund të jenë përdorur për ndezjen e zjarrit në kishë.
Në dokumentet gjyqësore thuhet se Moreno dyshohet se e ka ndezur zjarrin ndërsa brenda objektit ndodheshin ende pesë persona të tjerë. Hetuesit kanë konstatuar gjithashtu se ajo nuk kishte siguruar lejen e martesës për ceremoninë e planifikuar për ditën pasuese, ndonëse kishte deklaruar se e kishte marrë atë.
Moreno është arrestuar më 27 korrik dhe është dërguar në burgun e Qarkut Davis. Ajo përballet me akuza për **zjarrvënie të rëndë, vjedhje në një biznes dhe dhënie të informacioneve të rreme ndaj një oficeri policie**.
Sipas autoriteteve, dëmet materiale të shkaktuara nga zjarri në kishë vlerësohen në rreth **108 mijë dollarë**.
**E dyshuara prezumohet e pafajshme deri në një vendim të formës së prerë të gjykatës, do t’iu jemi mirenjohes nese do te na ndihmonit që të mirmbajmë faqen vetëm duke shtypur(mbi foton) që ndodhet më poshtë.Faleminderit për mirkuptimin SHQIPE
