LAJME / E Shtunë 18 Korrik 2026, 00:12

E FUNDIT/ Komisioni Evropian fundos qeverinë: Korrupsioni bën ligjin

Raporti i Sundimit të Ligjit 2026 vlerëson rezultatet e SPAK-ut në goditjen e korrupsionit të nivelit të lartë, por evidenton se institucionet e drejtësisë kanë qenë objekt presioni dhe sulmesh, ndërsa korrupsioni vijon të mbetet problem serioz

Institucionet e drejtësisë në Shqipëri kanë vijuar të përballen me përpjekje për ndikim të papërshtatshëm, ndërsa SPAK dhe magjistratët kanë qenë objekt sulmesh të drejtpërdrejta dhe kërcënimesh.

Ky është një nga konkluzionet kryesore të Raportit të Sundimit të Ligjit 2026 të Komisionit Evropian, i cili, megjithëse vlerëson rezultatet e Prokurorisë së Posaçme në goditjen e korrupsionit të nivelit të lartë, thekson se korrupsioni mbetet i përhapur në Shqipëri dhe se mbrojtja e pavarësisë së drejtësisë vazhdon të jetë një sfidë. Sipas raportit, organet drejtuese të sistemit gjyqësor kanë reaguar publikisht duke denoncuar presionin politik ndaj institucioneve të drejtësisë, ndërsa disa magjistratë janë vendosur nën mbrojtje pas kërcënimeve të marra.

Komisioni Evropian vlerëson se SPAK ka vijuar të ndërtojë një histori të besueshme hetimesh, ndjekjesh penale dhe dënimesh në luftën kundër korrupsionit të nivelit të lartë. Gjatë vitit 2025, sipas raportit, Struktura e Posaçme hetoi 30 zyrtarë dhe ish-zyrtarë të nivelit të lartë, mes tyre një ish-zëvendëskryeministër, ish-kryetarin e Kuvendit, ish-ministra dhe ish-deputetë. Tetëmbëdhjetë prej tyre u dërguan për gjykim, ndërsa dhjetë u dënuan me vendime të formës së prerë. Numri i hetimeve të reja u rrit me 17.7%, ndërsa çështjet e përfunduara u shtuan me 12.2%, çka, sipas Brukselit, dëshmon konsolidimin e kapaciteteve të SPAK-ut.

Megjithatë, raporti thekson se rezultatet nuk janë ende të mjaftueshme. Komisioni evidenton se konfiskimi i pasurive me origjinë kriminale mbetet i kufizuar, ndërsa institucionet shtetërore vazhdojnë të referojnë pak raste korrupsioni pranë SPAK-ut. Dokumenti kërkon forcimin e bashkëpunimit ndërinstitucional, në mënyrë që rastet e korrupsionit të identifikohen dhe të hetohen më shpejt, ndërsa goditja e përfitimeve financiare nga korrupsioni të jetë më efektive.

Në kapitullin për korrupsionin, Komisioni arrin në përfundimin se fenomeni vazhdon të mbetet i përhapur në Shqipëri. Raporti vëren se kuadri ligjor kundër korrupsionit është në masë të madhe i konsoliduar, por zbatimi praktik kërkon ende përmirësime. Dokumenti thekson se koordinimi ndërmjet institucioneve përgjegjëse për parandalimin e korrupsionit dhe organeve ligjzbatuese mbetet i dobët, ndërsa mekanizmat për kontrollin e pasurive dhe konfliktit të interesit duhet të bëhen më efektivë. Sipas Komisionit, masat parandaluese duhet të kenë të njëjtën rëndësi sa edhe hetimet penale.

Raporti sjell edhe shifra që tregojnë perceptimin e lartë të korrupsionit në vend. Sipas të dhënave të cituara nga Komisioni Evropian, 86% e qytetarëve besojnë se korrupsioni është i përhapur në Shqipëri, ndërsa 39% deklarojnë se janë prekur personalisht prej tij. Edhe bizneset japin një vlerësim negativ, pasi 73% e tyre e konsiderojnë korrupsionin fenomen të përhapur dhe 75% e shohin atë si pengesë për aktivitetin ekonomik.

Një nga shqetësimet kryesore të raportit lidhet me presionin ndaj institucioneve të drejtësisë. Komisioni Evropian thekson se, edhe pse sistemi gjyqësor ka treguar qëndrueshmëri, gjatë periudhës së raportimit kanë vazhduar përpjekjet për ndikim të papërshtatshëm mbi institucionet e drejtësisë, si edhe sulmet personale ndaj magjistratëve. Raporti përmend se pati sulme të drejtpërdrejta ndaj SPAK-ut dhe institucioneve të drejtësisë, ndërsa organet drejtuese të gjyqësorit dolën me deklarata publike për të dënuar presionin politik. Dokumenti nënvizon se autoritetet duhet të garantojnë që gjyqtarët dhe prokurorët të ushtrojnë funksionin e tyre pa ndërhyrje, intimidim apo presion.

Komisioni ndalet edhe te procesi i vettingut, duke e cilësuar përfundimin e tij një arritje të rëndësishme të reformës në drejtësi. Sipas raportit, procesi ka forcuar integritetin dhe pavarësinë e sistemit gjyqësor, por ka krijuar edhe vakanca që vazhdojnë të ndikojnë në efikasitetin e gjykatave dhe prokurorive. Brukseli thekson se duhet të vijojë plotësimi i vendeve vakante, të forcohen kapacitetet e institucioneve të reja të drejtësisë dhe të ruhet niveli i kontrollit të integritetit edhe pas përfundimit të vettingut.

Raporti evidenton se rreziqet e korrupsionit mbeten veçanërisht të larta në Policinë e Shtetit dhe në prokurimet publike. Sipas Komisionit, nevojiten masa më të forta për rritjen e integritetit në radhët e policisë, hetim më efektiv i rasteve të korrupsionit dhe forcim i mekanizmave të kontrollit të brendshëm. Në të njëjtën kohë, Brukseli kërkon më shumë transparencë dhe konkurrencë në procedurat e prokurimeve publike, duke i konsideruar ato një sektor me ekspozim të lartë ndaj korrupsionit.

Në përfundim, Komisioni Evropian vlerëson se Shqipëria ka shënuar progres në reformën në drejtësi dhe në hetimin e korrupsionit të nivelit të lartë përmes punës së SPAK-ut, por thekson se sfidat mbeten të shumta. Raporti kërkon mbrojtjen e plotë të pavarësisë së institucioneve të drejtësisë, më shumë rezultate në konfiskimin e pasurive kriminale, forcimin e mekanizmave të parandalimit të korrupsionit, rritjen e bashkëpunimit ndërinstitucional dhe garantimin që sulmet apo presionet ndaj SPAK-ut, gjyqtarëve dhe prokurorëve të mos cenojnë funksionimin e shtetit të së drejtës.

Korrupsioni vazhdon të konsiderohet i përhapur

Një nga konkluzionet më të forta të raportit lidhet me perceptimin e korrupsionit.

Komisioni Europian nënvizon se, ndonëse Shqipëria ka shënuar një përmirësim të lehtë në indeksin e Transparency International, perceptimi për korrupsionin mbetet shumë i lartë.

Sipas të dhënave të cituara nga raporti:

-Shqipëria renditet me 39 pikë nga 100 në Indeksin e Perceptimit të Korrupsionit.

-Pozicionohet e 91-ta në botë.

-86% e qytetarëve shqiptarë besojnë se korrupsioni është i përhapur në vend.

-39% deklarojnë se janë prekur personalisht nga korrupsioni në jetën e përditshme.

-73% e bizneseve mendojnë se korrupsioni është i përhapur.

-75% e sipërmarrjeve e konsiderojnë korrupsionin problem serioz gjatë ushtrimit të aktivitetit ekonomik.

Raporti thekson se këto shifra mbeten dukshëm më të larta sesa mesatarja e Bashkimit Evropian.

SPAK, institucioni më i vlerësuar nga Komisioni Evropian

Pjesa më pozitive e raportit lidhet me punën e Strukturës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.

Komisioni Evropian vlerëson se SPAK ka vazhduar të demonstrojë pavarësi dhe kapacitete të forta në hetimin e korrupsionit të nivelit të lartë.

Sipas raportit, SPAK ka ndërtuar tashmë një histori solide hetimesh, ndjekjesh penale dhe dënimesh, duke u kthyer në institucionin kryesor të luftës kundër korrupsionit në Shqipëri.

-janë hetuar 30 zyrtarë dhe ish-zyrtarë të nivelit të lartë;
-mes tyre përfshihen ish-ministra, deputetë, ish-kryetarë Kuvendi dhe një ish-zëvendëskryeministër;
-18 persona janë dërguar për gjykim;
-10 prej tyre janë dënuar me vendim të formës së prerë.

-hetimet e reja janë rritur me 17.7%;

-çështjet e përfunduara janë shtuar me 12.2% krahasuar me një vit më parë.

Komisioni e cilëson këtë si një tregues të rëndësishëm të funksionimit të reformës në drejtësi.

Por BE ngre shqetësim: konfiskimet mbeten shumë të ulëta

Megjithëse vlerëson punën e SPAK-ut, Komisioni Evropian evidenton një mangësi të rëndësishme.

Vlera e pasurive të sekuestruara dhe të konfiskuara mbetet shumë e ulët krahasuar me numrin e hetimeve.

-rreth 1.1 milion euro janë sekuestruar;

-vetëm rreth 100 mijë euro janë konfiskuar.

Për Brukselin kjo tregon se procedurat për konfiskimin e pasurive të përfituara nga korrupsioni duhet të bëhen shumë më efektive.

Një tjetër problem është fakti që referimet e rasteve drejt SPAK nga institucionet e tjera shtetërore vazhdojnë të jenë të pakta.

Presione politike dhe sulme ndaj SPAK

Një nga kapitujt më kritikë të raportit lidhet me ndërhyrjet politike.

Komisioni Evropian shkruan se gjatë gjithë periudhës së monitorimit kanë vazhduar përpjekjet e politikanëve dhe zyrtarëve të lartë për të ushtruar ndikim të papërshtatshëm mbi institucionet e drejtësisë.

-ka pasur deklarata publike kundër SPAK-ut;

-janë regjistruar sulme personale ndaj magjistratëve;

-janë shënuar kërcënime fizike ndaj prokurorëve.

Madje, tetë magjistratë kanë përfunduar nën mbrojtje për shkak të kërcënimeve.

Sipas Komisionit, reagimet politike pas pezullimit të një zyrtari të lartë dhe kërkesës së SPAK për heqjen e imunitetit të tij parlamentar përbëjnë shembull të presioneve mbi drejtësinë.

Institucionet drejtuese të sistemit gjyqësor u detyruan të dilnin me deklarata publike duke dënuar ndërhyrjet politike.

Raporti rikujton standardet e Komisionit të Venecias sipas të cilave të gjitha pushtetet duhet të mbrojnë besimin e publikut tek drejtësia dhe jo ta minojnë atë.

Korrupsioni vazhdon të jetë problem serioz në polici

Një tjetër kapitull kritik lidhet me Policinë e Shtetit.

Komisioni Evropian deklaron se policia mbetet shumë e ekspozuar ndaj korrupsionit.

-Agjencia e Mbikëqyrjes Policore mori 1 677 ankesa direkte nga qytetarët;

-3 846 ankesa të tjera mbërritën përmes linjës telefonike;

-u rekomanduan procedime disiplinore për 108 efektivë;

-masa disiplinore u morën ndaj 114 punonjësve;

-444 punonjës policie u referuan për ndjekje penale, kryesisht për “shpërdorim detyre” dhe “korrupsion pasiv”.

Raporti përmend gjithashtu shqetësime serioze për procesin e verifikimit të vetë punonjësve të Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore.

Prokurimet publike mbeten një nga pikat më problematike

Komisioni Europian evidenton se prokurimet publike vazhdojnë të mbeten ndër sektorët me rrezikun më të lartë për korrupsion.

Në raport përmenden si fusha problematike:

-partneritetet publike-private;

Brukseli thekson se transparenca mbetet e kufizuar sidomos për statusin e investitorëve strategjikë.

Një tjetër shqetësim është ndikimi politik mbi ndërmarrjet shtetërore që administrojnë kontrata të mëdha publike, përfshirë projekte të financuara edhe nga Bashkimi Evropian,

Komisioni kërkon zbatim të plotë të vlerësimeve të riskut dhe masa konkrete parandaluese në sektorët më të ekspozuar ndaj korrupsionit.

Deklarimi i pasurisë, ende me mangësi

Raporti vlerëson se është rritur transparenca në publikimin e deklaratave të pasurisë së zyrtarëve.

Megjithatë, Komisioni nënvizon se:

-numri i deklaratave të publikuara mbetet shumë i kufizuar;

-procedurat e verifikimit ende nuk arrijnë të identifikojnë në mënyrë efektive pasuritë e fshehura;

-nevojitet një metodologji më e fortë për kontrollin e deklarimeve.

-ILDKP ka vendosur 75 gjoba gjatë vitit 2025, por Brukseli kërkon forcim të mëtejshëm të mekanizmave të kontrollit.

Vettingu përfundon, por problemet nuk mbarojnë

Komisioni e konsideron përfundimin e procesit të vettingut si një moment historik.

Procesi nëntëvjeçar përfundoi me:

-456 largime ose ndërprerje të mandatit, që përbëjnë 57% të rasteve;

-348 konfirmime në detyrë, ose 43%.

Megjithatë, raporti paralajmëron se standardet e vettingut duhet të ruhen edhe në sistemin e zakonshëm të drejtësisë.

Institucionet përgjegjëse ende nuk kanë burime të mjaftueshme për të kryer kontrolle me të njëjtin standard si gjatë procesit të rivlerësimit.

Mungesa e gjyqtarëve vazhdon të paralizojë sistemin

Edhe pse janë emëruar dhjetëra gjyqtarë dhe prokurorë të rinj, mungesat mbeten të mëdha.

-vetëm 73% e vendeve të gjyqtarëve janë të plotësuara;

-vetëm 71% e vendeve të prokurorëve janë të zëna.

-Në Gjykatën e Apelit funksionojnë vetëm 40 gjyqtarë nga 78 të parashikuar.

Komisioni paralajmëron se mungesa e stafit po ndikon drejtpërdrejt në cilësinë dhe shpejtësinë e drejtësisë.

Dosjet gjyqësore po ulen, por Apeli mbetet problem

Komisioni konstaton ulje të stokut të çështjeve, sidomos në Gjykatën e Lartë.

Numri i dosjeve të prapambetura ka rënë nga rreth 30 mijë në vitin 2022 në 12 356 në qershor 2026.

Megjithatë, proceset në Apel vazhdojnë të zgjasin shumë.

Raporti evidenton se ritmi i shqyrtimit të çështjeve në gjykatat e shkallës së dytë mbetet i ulët dhe kërkon masa të reja për rritjen e efikasitetit.

Parlamenti kritikohet për ndërhyrje në drejtësi

Një tjetër kritikë e fortë lidhet me vendimin e Kuvendit për të mos autorizuar heqjen e imunitetit të një deputeti të kërkuar nga SPAK.

Komisioni Europian shkruan se ky vendim ka ngritur pikëpyetje serioze për:

-efektivitetin e hetimeve kundër korrupsionit.

-Raporti shpreh gjithashtu shqetësim për nisma ligjore që synojnë zgjerimin e kategorisë së zyrtarëve që nuk mund të pezullohen nga detyra gjatë hetimeve, duke paralajmëruar se ndryshime të tilla mund të krijojnë perceptim pandëshkueshmërie.

Media nën ndikim politik dhe ekonomik

Komisioni Europian rezervon kritika të shumta edhe për lirinë e medias.

-pavarësia e AMA-s vazhdon të vihet në diskutim;

-RTSH mbetet i ekspozuar ndaj ndikimit politik;

-pronësia e medias është shumë e përqendruar;

-grupe biznesi me lidhje politike dominojnë tregun mediatik.

Raporti shton se shpërndarja e reklamave shtetërore nuk është transparente dhe vazhdon të krijojë rrezik për ndikim politik mbi mediat.

Ndërkohë, gazetarët vazhdojnë të përballen me kërcënime, fushata denigruese dhe padi strategjike (SLAPP), ndërsa gratë gazetare mbeten veçanërisht të ekspozuara ndaj sulmeve online.

Polarizimi politik vazhdon të dëmtojë institucionet

Raporti përfundon se polarizimi politik vazhdon të ndikojë negativisht në funksionimin e Kuvendit.

-refuzimin e komisioneve hetimore të kërkuara nga opozita;

-dobësimin e kontrollit parlamentar ndaj qeverisë;

-politizimin e emërimeve në institucionet kushtetuese;

-konsultimet publike joefektive dhe mungesën e transparencës në procesin legjislativ.

Edhe organizatat e shoqërisë civile, sipas raportit, vazhdojnë të përballen me mungesë financimi, fushata diskredituese dhe konsultime të pamjaftueshme nga institucionet shtetërore. /Pamfleti, do t’iu jemi mirenjohes nese do te na ndihmonit që të mirmbajmë faqen vetëm duke shtypur(mbi foton) që ndodhet më poshtë.Faleminderit për mirkuptimin SHQIPE